Duam t’i dimë emrat e spiunëve të infiltruar në UÇK

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar të enjten lidhur me praninë e shërbimeve sekrete serbe që kanë qenë të infiltruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
OVL thekson se duke qenë gjithherë në përcjellje të situatës dhe në kërkim të zbardhjes së vërtetës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka përcjellë me vëmendje emisionin Rubikon të KTV, me të ftuarit Mehmet Loci, Fadil Kajtazi dhe Fatmir Çallakaj.

“Ne si Organizatë, i inkurajojmë dhe i përgëzojmë për gatishmërinë dhe guximin e tyre për t’u deklaruar për një çështje kaq të ndjeshme, e cila do të duhej të zbardhet sa më shpejtë. Ne kërkojmë nga të lartpërmendurit por dhe nga të gjithë ata që kanë informacione të argumentuara se kush ka punuar dhe kush ende punon për shërbimet sekrete serbe, të bëjnë publike emrat dhe pseudonimet, për hir të sqarimit të kësaj të vërtete të hidhur të popullit shqiptar. Sidomos, ne do ishim gjithmonë mirënjohës, që ta dimë se kush janë 140 personat që si pjesëtar të këtyre shërbimeve, janë infiltruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me detyra të ndryshme. Kjo do ta ndihmonte shumë, procesin e verifikimit të veteranëve, invalidëve dhe Dëshmorëve të Kombit, proces i cili po zhvillohet këto ditë”, thuhet në kumtesë, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, apeluan tek institucionet e Kosovës, Qeveria dhe Parlamenti, që të fillojnë procesin e nxjerrjes së ligjit për lustracion të figurave publike.

Sipas tyre, ky ligj, i cili është i domosdoshëm për funksionalizimin e mirëfilltë të institucioneve të vendit, do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë një epokë të errët për popullin shqiptar.
 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.