Për Ushtrinë ndërkombëtarët do t’i bindin serbët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se procesi i shndërrimit të FSK’së në ushtri është proces i pandalshëm, dhe askush nuk mund të përdor veto për ndalimin e këtij procesi. Ai duke folur për këtë temë ka lënë të nënkuptohet se është tërhequr përkohësisht nga nisma e tij ligjore, pasi ka marrë premtime nga ndërkombëtarët se do t’i bindin serbët, që të mos e pengojnë këtë proces.

Duke folur në ‘Fol Hapur’ te Lëvizja FOL, Thaçi tha se iniciativa që Kosova ta ketë ushtrinë e saj është legjitime dhe themelimi i ushtrisë është i domosdoshëm, edhe për faktin se Kosova nuk mund ta realizojë aspiratën e saj për anëtarësim në NATO, pa e pasur ushtrinë e saj.

“Iniciativën për themelimin e ushtrisë përmes ligjit e kam ndërmarrë duke qenë i bindur se janë shterur të gjitha mundësitë tjera. Iniciativa është legjitime e kushtetuese”, tha Presidenti Thaçi, duke vënë në pah faktin se dallimi mes tij dhe partnerëve ndërkombëtarë qëndron në mënyrën e formimit të ushtrisë, kjo pasi SHBA’të dhe shtetet tjera kërkojnë që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese ku përfshihen edhe komunitetet, dhe jo përmes ligjit të propozuar.

“Duam që edhe serbët të jenë pjesë e procesit dhe ta mbështesin këtë proces”, tha Thaçi.

“SHBA’të kërkojnë që FAK të themelohet përmes ndryshimeve kushtetuese, këtë e duam edhe ne nëse është e mundur të realizohet në praktikë”, shtoi Thaçi, duke shtuar se të gjithë partnerët kanë shprehur gatishmërinë që serbët të binden për themelimin e ushtrisë, pasi Lista Serbe është kthyer në institucione.

“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që t’i bindim serbët”, tha ai. 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.