VESELI: I THASHË “JO” EGOS, MBËSHTETA HARADINAJN

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka treguar se ka hequr dorë nga egoja e tij për kryeministër, duke ia dhënë kështu mundësinë që këtë post ta ketë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai duke folur para simpatizantëve të këtij subjekti nga zyra qendrore e PDK-së në Malishevë, tha se qëllimi tij ka qenë që gjithmonë bashkëluftëtarët të bëhen bashkë, raporton GazetaExpress.

“Unë e bëra një zgjidhje për hir të partisë e gjithë juve, i thashë ‘jo’ egos, do t’i japim shansin një partneri të cilin e kemi pas bashkërisht në luftë.

Ka qenë gjithmonë qëllimi im që bashkëluftëtarët të bëhen bashkë për sfidat që do të vijnë. Kosova ka nevojë për një vizion vendimmarrës për të cilin Partia Demokratike do ta luajë rolin primar”, u shpreh Veseli.

Ai bëri të ditur se do të jetë bartës i listës zgjedhore, ndërkaq tha se marrëveshja politike parasheh që postin e kryeministrit t’ia japin kolegut partner.

“Do të punojmë bashkërisht për ndërtimin e vendit. Koalicioni nuk është kundër askujt por për Kosovën perëndimore”.

Ai premtoi se nuk do të largohen njerëz nga puna edhe nëse të njëjtit e fitojnë pushtetin. Një gjë e tillë, sipas tij, nuk ka për të ndodhur kurrë që për shkak të bindjeve politike të largohen njerëzit nga puna.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.