I lind djalë, prizrenasi gjuan 19 herë me kallashnikov nga gëzimi

Gjatë ditëve të vikendit, policia e Rajonit të Prizrenit, ka pasur mjaft angazhim, kryesisht në konfiskimin e armëve ilegale që janë përdorur apo ekspozuar në publik.

Rreth orës 18:50 minuta, një informatë anonime e ka quar Policinë e Dragashit  në një kafene   në fshatin Pllavë të Dragashit, ngase një i dyshuar ishte  në ndikim të alkoolit dhe se i njëjti posedonte armë ilegale. Pas kontrollit të personit të dyshuar  është gjetur  një pistoletë e llojit dhe e kalibrit të panjohur me pesë fishekë. I dyshuari është liruar ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës i kalojnë prokurorisë së shtetit sipas procedurës së rregullt.

Rreth orës 22:00, në fshatin Zojz, një i dyshuar ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm pasi kishte shtënë nga kallashnikovi 19 herë nga gëzimi për lindjen e djalit. I dyshuari vullnetarisht e dorëzon armën e zjarrit ndërsa krim teknikët sekuestrojnë 19 gëzhoja si provë materiale. Pas intervistës, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në fshatin Sërbicë e Ulët raportohet një kanosje e cila kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje të çastit në mes të tre të dyshuarve dhe një viktime. Gjatë hetimit fillestar ka pasur indikacione se tek personat e dyshuar mund të ketë armë ilegale, andaj është kërkuar leje për bastisje nga organet kompetente. Gjatë bastisjes në një automjet “Opell Astra” pa targa regjistrimi janë gjetur një pushkë AK-47 e prodhimit kinez me 15 fishekë. Automjeti dhe arma sekuestrohen ndërsa i dyshuari S. Zh. ndalet nën masën e arrestit policor. Më pas është bastisur shtëpia e të dyshuarit të dytë ku është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjahu e kalibrit 12mm e prodhuesit të panjohur. I dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.