Banka Qendrore: Kosova vitin e kaluar bleu 12.4 milionë € mallra nga Rusia

Qytetarët e Kosovës në dy vitet e fundit kanë blerë mallra nga Rusia në vlerë prej më shumë se 22 milionë euro. Në vitin 2015, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, janë importuar mallra nga Rusia në vlerë prej 9.9 milionë euro. Derisa në vitin 2016 12.4 milionë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, përmes rrjetit elektronik, zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, i kanë cilësuar të hyrat ruse në Kosovë, “gati të papërfillshme, krahasuar me shtetet tjera”.

“Të dhënat për Rusinë në databazën tonë, janë kryesisht import i mallit. Importet e mallrave nga Rusia në 2015 ishin 9.9 milionë euro, ndërsa në 2016 ishin 12.4 milionë euro. Nuk kemi të bëjmë me investime. Pra, bëhet fjalë për import të mallrave nga Rusia”, thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës.

Edhe njohësit e zhvillimeve ekonomike në vend e kanë vlerësuar minor ndikimin rus në ekonominë e Kosovës, përveç në komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.

Kjo pjesë e Kosovës, sipas tyre, mbetet me interes për politikën ruse. Iinfluencën ruse, ata e shohin të kalojë nëpërmjet Serbisë drejt veriut të Kosovës, duke bartur potencial destabilizues për të ardhmen.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.