AKTORI QË PO INVESTON NË KOSOVË

Në mes të glamurit të jetës së natës në Gjermani, fermes, fabrikës së gypave e bukurive të Bjeshkëve të Nemura e bën jetën e tij aktori kosovar Agron Krasniqi.

Duke qenë pronar i dy klubeve shumë të famshme “Gold Club Kehl” dhe “K Club Kehl” në Gjermani, Krasniqit i duhet që të kalojë një pjesë të kohës atje, ndërsa ndërkohë ka investuar edhe në Kosovë në tri drejtime.

Ai bashkë me vëllezërit e tij kanë blerë dhjetëra hektarë tokë në Junik, ku kanë mbjellur plantacion mollash, kanë ndërtuar një fabrikë për gypat e ujit si dhe kanë ndërtuar fermën e racës së rrallë të demave Angus Argentino


 Agroni ka lënë pak anash profesionin e aktorit, për t' u rikthyer në vendin e tij të lindjes dhe të investojë. Familja Krasniqi asnjëherë nuk ka harruar obligimin që kemi për vendin tonë. Fabrika German Plast është investim për të ofruar kualitetin e lartë gjerman në Kosovë“, kishte thënë Agron Krasniqi gjatë hapjes së fabrikës German Plast. Fabrika e Gypave të ujit German Plast është hapur në Junik ka punësuar dhjetëra kosovarë dhe po prodhon gypa të ujit për shumë komuna.

Përveç fabrikës familja Krasniqi ka edhe një kompani tjetër që quhet “Joos Krasniqi”, me të cilën ndërton rrugët e Kosovës. “Kemi investuar në makineritë më moderne dhe në trajnim të stafit vendor. Këto përpjekje po japin tash rezultatet e veta”, është shprehur Krasniqi, sa i përket kompanisë “Joos Krasniqi”.

Mbi 12 hektarë tokë rrëzë bjeshkëve të Junikut shtrihen plantacionet e mollave të familjes Krasniqi. Edhe këtu janë sjellur teknologjitë më të avancuara dhe teknologët më të njohur vendor e dnërkombëtarë, ndërsa pothuajse e gjithë sasia e vjelur eksportohet në Gjermani.

Duke qenë në një zonë shumë të plleshme të vendit ata kultivojnë edhe qershi e boronice.
“Boronica eksportohet në tregun Holandez, kurse molla për tregun Gjerman ku kemi kontratë me rrjetin e marketeve ‘Lidl' që shtrihet në tërë Gjermaninë”, tha Krasniqi.

Ndoshta mysafir të restoraneve më ekskluzive në Evropë përderisa ushqehen me mishin më kualitativ, nuk e dijnë që ai vjen nga Juniku i Kosovës, ku Agron Krasniqi ka ngritur fermën e racës së rrallë të demave të quajtur “Agnus Argentino”.
“Ne kemi një racë specifike të demave ‘Agnus Argentina', është mish i veçantë dhe ekskluziv dhe shitet në restorante ekskluzive nëpër Evropë. Tash për tash është biznesi kryesor në fushën e industrisë së mishit”, thotë Krasniqi. Përveç këtyre bizneseve fitimprurëse për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik, familja Krasniqi ka edhe biznese të tjera si diskotekat moderne “Gold Club Kehl” dhe “K Club Kehl” ne Gjermani.

Por gjithë këto angazhime biznesore e kanë lënë anash karrierën prej aktori. Këtë karrierë ai e kishte filluar në vitin 1994 me një rol në filmin “Oda e Junikut” me regji të Adem Mikullovcit. Pastaj ka vazhduar studimet në vitin 1998 në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në vitet 2000 -2003 në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë.

Krasniqi ka pasur edhe përvojat e tij në teatër, siç është shfaqja “Merlin Murllo”, me regji të Enver Petrovcit. Së fundmi ai është paraqitur edhe në filmin “Memory”, të regjisorit Ilirjan Himaj, prodhim ky i vitit 2016. Ndërsa ka pasur edhe angazhime si producent në filmat ndërkombëtar “Alex” dhe “Phonix”. Këtë vit ai pret të angazhohet në një shfaqje me regji të profesorit të tij Enver Petrovcit.

 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.