KOSOVA E SHQIPËRIA, NJËZËRI KUNDËR TREGUT RAJONAL

Jo vetëm Kosova por edhe Shqipëria nuk po e mbështetë idenë e krijimit të një tregu rajonal.

Kjo ide e lansuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropianë gjatë Samitit të Sarajevës është kundërshtuar mënjëherë nga kryeministri Isa Mustafa.

Ai ka deklaruar se Kosova nuk ka interes për t’u futur në një treg të tillë për sa kohë që aspiratat janë që vendi të përfshihet në tregun e gjerë evropianë, shkruan AktivPress.

Edhe njohësit e ekonomisë janë deklaruar kundër jetësimit të një projekti të tillë duke përkujtuar se rajoni tashëm e kanë një lloj tregu të përbashkët që njihet si CEFTA.

Së fundmi, tema e tregut rajonal është diskutuar edhe nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Kosovë e Shqipëri, Enver Hoxhaj e Ditmir Bushati.

“Ministrat u shprehën se Shqipëria dhe Kosova kanë një qendrim të përbashkët për sa i përket përpjekjeve të krijimit të një tregu rajonal. Ata u shprehën dakord për një bashkëpunim rajonal, por procesi i uljes së barrierave tregtare nuk mund të zëvendësojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon, duke harruar faktin që vende pjesmarrëse të këtij Samiti, si Bosnja dhe Serbia nuk e njohin Kosovën, kufirin dhe doganën e saj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Hoxhaj e Bushati ndanë të njëjtin vlerësim edhe në lidhje me situatën e sigurisë në rajon, konkretisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe Serbi.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar homlogun Bushati për finalizimin e procesit të krijimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, të cilat përbëjnë një lajm të mirë për rajonin dhe një sukses të posaçëm të Qeverisë shqiptare.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.