Agrobizneset vendore po fuqizohen me mbështetjen e MBPZHR-së

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim përfaqësuesit e Odës Afariste të Kosovës, të cilët i ka njoftuar me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, veçanërisht në sektorin e prodhimit dhe përpunimit, si dhe me programet mbështetëse të ministrisë për agrobiznese për vitin 2017.

Gjatë takimit, ministri Krasniqi theksoi se prodhimtaria bujqësore është njëra prej aktiviteteve më strategjike për nga rëndësia ekonomike dhe agrobizneset janë një prej veprimtarive me zhvillimin më të hovshëm, e të cilat ai tha se do të gjejnë mbështetje të madhe edhe gjatë këtij viti përmes granteve investive të ministrisë.  Ai i njoftoi ata se me investimet e ministrisë për agrobizneset vendore, kanë ndikuar në rritjen e prodhimtarisë bujqësore, zëvendësimin e importit dhe rritjen e eksportit të këtyre produkteve, si dhe përmirësimin e aftësive konkurrueseve të agrobizneseve.

Ai i falënderoi drejtuesit e kësaj ode për mbështetjen që kanë dhënë për bizneset në Kosovë, dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të agrobizneseve.

Nga ana tjetër, kryetari i bordit të Odës së Afaristëve të Kosovës, Skënder Krasniqi, falënderoi ministrin për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe shprehën përkushtimin e tyre për mbështetjen e prodhuesve vendorë, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të tyre. 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.