Kjo është historia e festës së 1 Majit

Origjina e kësaj feste është lufta e klasës punëtore për të siguruar një orar pune prej tetë orësh dhe daton nga shekulli XIX.
Kosova nuk është vendi i vetëm ku 1 Maji është festë zyrtare. Dita Ndërkombëtare e Punës festohet në shumë vende të botës dhe, në të shumtën e rasteve, kjo ditë shfrytëzohet për protesta, në të cilat sindikatat kërkojnë kushte më të mira për anëtarësinë e tyre.

Ndërsa, nuk festohet në vendin prej nga e ka origjinën kjo festë. Të paktën jo në këtë datë.

Origjina e kësaj feste është lufta e klasës punëtore për të siguruar një orar pune prej tetë orësh.

Në Shtetet e Bashkuara, gjatë kongresit të tyre të vitit 1884, sindikatat amerikane u japin dy vjet afat pronarëve që ditën e punës ta shkurtojnë në tetë orë.

Më 1 maj 1886 organizohet grevë e përgjithshme, e mbështetur nga anarkistët. Ajo respektohet gjerësisht. Sindikatat e zgjodhën këtë ditë për shkak se shumë ndërmarrje e nisnin vitin fiskal në këtë datë dhe meqë kontratat mbaronin po ashtu më 1 maj.

Në takimin e internacionales së dytë socialiste, të vitit 1889, në Paris, ishte vendosur që për çdo 1 maj të mbaheshin manifestime në të cilat do të kërkohej shkurtimi në 8 orë i orarit të punës, pasi që në atë kohë orari i punës në vendet e zhvilluara ishte 10 orë ose edhe më shumë.

E data 1 maj u vendos në kujtim të ngjarjeve në Haymarket, në Çikago, tre vjet më herët, kur policia qëlloi kundër demonstruesve, duke shkaktuar shumë viktima.

Dhe, më 1 maj 1890, ngjarja shënohet për herë të parë në shumicën e vendeve, me pjesëmarrje të ndryshme.

Më 1891, në Bruksel internacionalja socialiste i jep karakter ndërkombëtar 1 Majit.

Më 1920, Rusia bolshevike vendos që 1 maji të jetë ditë pushimi dhe do të bëhet festë e ligjshme e punëtorëve.

Ndonëse, festa e 1 Majit ndërlidhet me ngjarjet në një qytet amerikan, në Shtetet e Bashkuara 1 Maji nuk është festa e punëtorëve. Në ShBA dhe Kanada Festa e Punës është e hëna e parë e shtatorit.

Në Evropë, 1 Maji shënohet në forma të ndryshme. Në Francë, për shembull, ka manifestime të mëdha të sindikatave të punëtorëve.

Në Gjermani është ditë pushimi, sikur edhe në disa kantone të Zvicrës. Në kantonet ku nuk është pushim sindikatat organizojnë parakalime pasdite ose fare në mbrëmje.

Në Kosovë, ndërkaq, ndonëse ka shumë arsye për të protestuar, sindikatat e punëtorëve e kanë bërë pothuajse zakon që më 1 Maj të heshtin dhe të kënaqen duke iu bashkuar qytetarëve në organizime të ndryshme, sidomos shëtitjes në parkun Gërmia të kryeqytetit apo edhe të udhëtojnë brigjeve të detit të vendeve fqinje.

Për sot Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka paraparë të mbajë një protestë në shenjë pakënaqësie me gjendjen e punëtorëve në këtë sektor.

Në shenjë pakënaqësie me gjendjen e tyre edhe Shoqata Sindikale Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shota do të protestojë.

E 1 Maji i vitit të kaluar u shënua në këtë mënyrë.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.