Këngëtarët paguajnë deri në 1000 mijë euro për të dalë në ‘videokaseta’

foto ilustruese

Për të qenë pjesë e programeve festive duhet të kesh epitetin e një këngëtari me “famë” ose në të kundërtën të paguash për të performuar, qoftë vetëm një herë në këto programe. Mbase shtimi i numrit të madh të këngëtarëve në tregun muzikor ka ndikuar që organizatorët e programeve festive të kenë një limit të caktuar të pjesëmarrësve në këto programe, shkruan Zëri.

Çmimet për të cilat është dashur të paguajnë këngëtarët e rinj për të qenë pjesëmarrës në disa programe festive variojnë nga 200 deri në 1000 euro, varësisht sa herë kanë dalë në skenë. Shpresa Merlaku, Gramoz Gërvalla, Kastriot Krasniqi, Armend Miftari janë vetëm disa nga emrat e këngëtarëve të rinj që kanë paguar produksionet për t’iu bashkuar kolegëve të “famshëm” të tyre.

“Xhirimet e produksionit tonë u realizuan në një atmosferë shumë festive dhe çdo gjë shkoi sipas plan-programit. Sa i përket pagesës nga ana e këngëtarëve të rinj, po është e vërtetë se një pjesë e këngëtarëve paguajnë për të qenë pjesë e programit festiv. Por duke marrë parasysh rrethanat dhe çmimet çfarë janë në Kosovë, si dhe mosrespektimit të Ligjit kundër Piraterisë, na duhet që sado pak t’i zbusim ato shpenzime të shumta që i kemi për realizimin e këtij programi. Çmimet të cilat i kanë paguar këngëtarët e rinj sillen prej 200 deri në 1000 euro. Dëshira për të qenë pjesë e programit festiv i ka shtyrë këngëtarët e rinj që të paguajnë”, ka thënë Bujar Avdimetaj nga Shtëpia Filmike Muzikore “Eurolindi”. Tani e 17 vjet ky produksion merret me organizime të tilla, prandaj sipas Bujarit nuk është edhe aq e lehtë realizimi i programeve festive.
 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.