Rrëfimi prekës i Irmës: Kur më merr malli për të, hap “Whatsapp-in” dhe lexoj bisedat

Në një rrëfim prekës në emisionin “Lart e Poshtë” me Eraldo Rexhon, ajo ka treguar  se sa herë e merr malli për të shoqin, hap “Whatsapp-in” dhe lexon bisedat e gjata që bënte me dikur me të.

“Ka një boshllëk, por jeta vazhdon dhe unë përpiqem të merrem me punë, vazhdoj gjithë ditën. Herë-herë shikoj kujtimet…mundohem ta heq kokën dhe të mos mërzitem. Mirëpo ato janë aty dhe e kam thënë edhe herë tjetër dhimbja është e atij që ka fatkeqësinë dhe mundohem ta tejkaloj. Por kam njerëz rreth e qark, të cilët ma mbushin ditën time. Ndonjëherë kur jam vetëm hap gjithë chat-in e whatsapp-it që kam me bashkëshortin, i kam ruajtur të gjitha e muhabetet që kemi bërë i kam të ruajtura, mesazhet. Këto janë mungesa që njeriu ka dhe mundohem ta kaloj. Çfarë të bëj, jeta vazhdon”, ka treguar Irma.

Irma ka rrëfyer se do i realizojë premtimet e Besnikut, dhe do t’i publikojë këngët që i kanë mbetur në projekte.

“Do mundohem të bëj ndonjë videoklip modest në respekt të bashkëshortit tim që i donte këto këngë. Në mënyrë që ato të mbeten. Kur të mos kem shumë punë, besoj nga dimri. Amanetet e Besnikut besoj do i çoj në vend”, tha këngëtarja.

Ajo gjithashtu ka zbuluar se djali i saj Ataoli dhe partnerja e tij janë në pritje të një fëmije. Këtë lajm të bukur që duket se i ka shtuar ngjyrat jetës së saj pas humbjes së bashkëshortit katër muaj më parë.

“Unë besoj që ky është lajmi më i bukur dhe prandaj themi gjithmonë që duhet t’i kthejmë sytë nga jeta. S’ka gjë më të bukur kur vjen një jetë. Thonë që është një ndjesi shumë e bukur, s’e kam provuar. Shumë shpejt, besoj që do të kemi një intervistë tjetër për të dhënë edhe ndjesinë e të qenit gjyshe”, – u shpreh Irma Libohova, e cila në shtator do të publikojë këngën e saj të re me titull “Ditëlindja”.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.