Sezoni veror në Hollywood me filma të jashtëzakonshëm

Sezoni i filmave me buxhet të lartë në Hollywood fillon zyrtarisht më 5 maj, me lansimin e vazhdimit të dytë të filmit \'Guardians of the Galaxy Vol. 2\', që pritet të shihet nëse do ta tejkalojë suksesin që filmi i parë e pati arritur në arkat filmike me t’u lansuar nëpër kinema në vitin 2014.

Në po të njëjtën javë, më saktësisht më 12 maj, studioja filmike Warner Bros, e publikon filmin \'King Arthur: Legend of the Sword\', duke e sjellë tregimin fantastik në ekran të madh, me protagonist aktorin Charlie Hunnam. Ndërsa, regjinë e këtij projekti të shumëpritur e ka bërë regjisori i njohur britanik, Guy Ritchie.

Më 19 maj lansohet edhe filmi më i ri \'Alien\', i cili pritet t’i frikësojë adhuruesit e filmit, të cilët do të shkojnë në kinema për ta parë atë. Në këtë vazhdim të historisë së famshme me krijesa jashtëtokësore, i cili e mban titullin \'Aliens: Covenant\', njerëzit e zbulojnë një botë të re, por pastaj detyrohen të ikin shumë shpejt nga ai planet, nëse duan të shpëtojnë, transmeton emisioni “Express” në KTV.

Ylli hollywoodian, Johnny Depp, po rikthehet në ekranet e mëdha me vazhdimin e pestë të filmit \'Pirates of the Caribbean: Dead Men Tell No Tales\'. Në këtë vazhdim, personazhi shumë i dashur për publikun, Jack Sparrow, niset në kërkim të një artefakti të quajtur “Trident of Poseidon” në mënyrë që t’i mund armiqtë e tij. Filmi do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 26 maji.

Edhe filmi \'Baywatch\' po vjen nëpër kinematë botërore në të njëjtën fundjavë dhe në këtë vazhdim të filmit rolin e protagonistëve e luajnë aktorët, Dwayne \'The Rock\' Johnson dhe Zac Effron. Filmi i cili më shumë i takon zhanrit komedi, po ashtu është i mbushur me skena të shumta aksion dhe besohet se do ta tërheqë një numër të madh të publikut pas vetes.

Studioja Warner Bros shpreson të arkëtojë shumë të holla këtë sezon me lansimin e filmit, \'Wonder Woman\', i cili do të fillojë së shfaquri për publikun më 2 qershor. Superheroina, e cila portretizohet nga aktorja Izraelite, Gal Gadot, pritet t’i shfrytëzojë fuqitë e saj speciale për të ndihmuar në përfundimin e luftës së dytë botërore, në këtë film të mbushur me skena aksion dhe efekte vizuale.

Më 9 qershor, edhe aktorët veteranë Tom Cruise dhe Russell Crowe, vijnë në ekran të madh me filmin e tyre të ri \'The Mummy\'. Filmi i takon zhanrit aksion fantazi dhe triller dhe e sjell historinë e një princeshe antike, e cila rikthehet në jetë pas shumë shekujve, dhe kërkon të marrë hak për padrejtësitë që i janë bërë në të kaluarën, transmeton Koha.net.

Një javë më vonë, më 16 qershor, studiot e njohura filmike Disney dhe Pixar e lansojnë vazhdimin e tretë të filmit të famshëm të animuar, “Cars”, i cili pritet të arkëtojë shumë të holla në arkat filmike të Amerikës Veriore.

Mark Walberg luan edhe në vazhdimin e pestë të filmave shumë të dashur për publikun, \'Transformers - the Last Knight\', i cili do të lansohet nëpër kinema më 26 qershor. Filmi i zhanrit aksion e sjellë historinë e robotëve alien të cilët shërbejnë në mbrojte të njerëzve në tokë, të sulmuar nga raca e tyre.

Një tjetër film, i cili pritet të shënojë suksese të mira me të shfaqur për publikun, është filmi i animuar “Despicable Me 3”. Steve Carell rikthehet në rolin e Gru-s duke shkaktuar të qeshura te publiku me aventurat e tij të radhës. Studioja Universalshpreson se më këtë vazhdim të ri të kësaj komedie të arkëtojë shumë të holla, sikurse ka bërë edhe me dy filmat e kaluar. “Despicable Me 3” lansohet nëpër kinema më 30 qershor.

Një tjetër superhero, i cili rikthehet në ekran për gjithë adhuruesit e filmit është, Spiderman-i. filmi i ri me titull \'Spiderman: Homecoming\' do të lansohet nëpër kinema më 7 korrik të këtij viti, dhe ai e risjellë personazhin, Peter Parker, në shkollë të mesme duke provuar të adaptohet me aftësitë e reja që i ka marrë si superhero.

Woody Harrelson vjen në rolin e komandantit të forcave ushtarake të njerëzve, të cilët mundohen t’i shfarosin nga toka majmunët super inteligjent në vazhdimin më të ri të filmit \'War on the Planet of the Apes\'. Beteja e ashpër ndërmjet këtyre dy racave inteligjente që dominojnë në planet, do të ekranizohet për publikun mbarë botërorë më 14 korrik.

Një javë më vonë, më 21 korrik, lansohet filmi fantastik shkencorë dhe triller, \'Valerian and the City of a Thousand Planets\'. I bazuar në librat komik Francez, filmi e sjell historinë e një grupi të operativëve të cilët përpiqen ta shpëtojnë një qytet nga disa forca të këqija misterioze.

Në të njëjtën ditë lansohet edhe drama historike e Christopher Nolan-it, “Dunkirk”. Filmi fokusohet në evakuimin e forcave aleate nga qyteti i pushtuar gjatë luftës së dytë botërore.

Me shpresën që ta tërheqin vëmendjen e përdoruesve të flakë të rrjeteve sociale, studioja filmike Sony Pictures do ta lansoj filmin \'The Emoji Movie\'. Komedia e animuar e realizuar në formatin 3D, do të filloj së shfaquri nëpër kinema nga 4 gushti i këtij viti. Pritet të shihet çfarë do të jetë suksesi i tij në arkat filmike.

Aktorja bukuroshe, Charlize Theron, e luan rolin e agjentes së MI6-it në dramën e re me spiun. Filmi me titull \'The Atomic Blond\' do të lansohet nëpër kinema më 28 korrik. Ai e sjell historinë e një spiuneje shumë të aftë, të personifikuar nga Theron, e cila provon ta zbuloj të vërtetën mbi vrasjen e një kolegu të saj gjatë epokës së luftës së ftohtë në Berlin.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që skanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.