JA PSE DUHET TË DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT

Ra kërkesa absurde e akademikëve të ASHAK-ës për Fadil Hoxhën dhe e bëri edhe më të qartë se ka ardhur koha që krimet e komunizmit duhet të dënohen edhe në Kosovë. Tashmë nuk ka pengesa për ta nisur këtë proces. Mjafton të ketë vullnetin e duhur Kuvendi i Kosovës, që fillimisht ta miratojë një rezolutë të qartë për dënimin e krimeve të komunizmit dhe pastaj të miratohen edhe ligjet adekuate për ta futur procesin e zbatimit  në binarë të shtetit ligjor. Në këtë kontekst, më së miri do të ishte po qe se do të ngrihej një zyrë speciale e prokurorisë, e cila do të mirrej me hetimin e krimeve të periudhës së komunizmit dhe adresimin e tyre poashtu para një gjykate speciale për këtë punë. Ndërsa, në gjykatat e rregullta do të duhej të fillonte procesi i rehabilitimit të viktimave të regjimit komunist, edhe në bazë të kërkesave të pasardhësve të viktimave. Natyrisht, Kuvendi duhet të miratojë edhe ligjin adekuat për kthimin e pronave të konfiskuara nga ana e regjimit komunist të atyre që i quante “armiq të popullit”, shumë herë vetëm për t’ua marrë shtëpitë, dyqanet, pronat.
      
Si duhet të dënohen krimet e komunizmit

Sa u përket standardeve dhe procedurave të dënimit të krimeve të komunizmit, ato duhet të jenë të pajtueshme me standardet dhe procedurat që janë ndjekur në ish shtetet komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, të cilat tashmë janë shtete mirëfilli demokratike. Procedurat politike dhe ligjore që kanë përdorur Çekia, Hungaria, Polonia dhe Gjermania (për ish Gjermaninë Demokratike) duhet të studiohen e të mirren ato standarde që i përshtaten më shumë përvojës sonë me krimet e komunizmit dhe gjendjes specifike të shoqërisë sonë, si shoqëri e dalë jo vetëm nga regjimi komunist, po edhe nga okupimi dhe nga një luftë me elemente tipike të spastrimti etnik dhe të gjenocidit. Mund të mirren modelet me të buta, mjafton që ato modele t’i adresojnë në mënyrën e duhur krimet e komunizmit dhe të krijojnë premisat për rehabilitimin e viktimave dhe për pajtimin e shoqërisë. Nga ky aspekt shoqëria jonë, para se të fokusohet në një proces pajtimi ndërmjet shqiptarëve e serbëve, për armiqësitë e luftës së fundit (1998/1999) duhet ta lëvizë përpara procesin e pajtimit për periudhën e komunizmit. Pa u kryer  procesi i dënimit të krimeve të komunizmit dhe rehabilitimi i viktmave të tij, pajtimi ndërmjet shqiptarëve e serbëve pas luftës së fundit (1998/1999) është i parealizueshëm, sepse krimet e komunizmit e kanë përgatitur edhe ambientin për gjenocidin e viteve 1998/1999. Me dënimin e krimeve të komunizmit, i cili filloi me gjenocid kundër shqiptarëve (1945) dhe përfundoi me genocid (1998/1999) lehtësohet edhe procesi i pajtimit ndëretnik, sepse një pjesë e kriminelëve e marrin dënimin në këtë proces, gjë që mund ta lehtësojë pastaj procesin e pajtimit shqiptaro-serb.
Dënimi i krimeve të komunizzmit gjithsesi parakupton që në këtë proces përjashtohet revanshi, hakmarrja. Dënimet e tyre nuk duhet të penalizojnë me asgjë pasardhësit. Kjo është shumë me rëndësi, sepse pa ua hequr ndjenjën e frikës pasardhësve të kriminelëve komunistë, do të jetë e vështirë të krijohet ambient i përshtatshëm politik e shoqëror, për ta shtyrë përpara këtë proces. Pasardhësit e jo pak komunistëve që kanë kryer krime,  nga frika e revanshit dhe e hakmarrjes, ka rrezik që tashmë janë barrikaduar në istikame, për të mbrojtur veten e tyre, duke mbrojtur krimet e baballarëve e gjyshërve të tyre. Edhe kërkesa më e fundit e grupit të akademikëve që Fadil Hoxha të shpallej “Nderi i Kombit”, është pjesë e këtij barrikadimi.  Pse? Ata llogarisin se mund të mbrojnë më mirë privilegjet që kanë trashëguar, nëse krijojnë diga mbrojtëse me çmime e përmendore për Fadil Hoxhën e krerët e tjerë komunistë. Pra, edhe me kërkesën që çmimi “Nderi i Kombit” t’i jipej Fadil Hoxhës, synohej të krijohej një ombrellë siguruese për pasardhësit/pasuesit ideologjikë të tyre. Nëse Fadil Hoxha dhe bashibozukët e tij do të shpalleshin nderi i kombit, nëse do t’u ngriheshin përmendore, kjo do të thoshte se figurat dhe vepra e tyre vlerësohen e rrjedhimisht kjo do të kishte ndikim direkt edhe në pozitën shoqërore të pasardhësve të tyre. (Në këtë aspekt, ndoshta edhe do të mund të rivalizonin për kontribute atdhetare edhe me familjet e dëshmorëve e heronjve të luftës së fundit.) Por, ky vërtet është një kalkulim i gabueshëm. Komunizmi si ideologji dhe si praktikë ka pësuar disfatë historike në gjithë botën, pra edhe në Kosovë e ndër shqiptarë dhe nuk ka më asnjë shans që të ringjallen as simbolet e tij. Komunizmi ka mbetur si mumia e Leninit në sheshin e Moskës - kufomë e pavarrosur, e cila provokon kërshërinë e shikuesve, por shumë më shumë ngjallë neverinë dhe tmerrin e tyre. Edhe bartësit e krimeve në emër të komunizmit ndër shqiptarë, në histori tashmë janë si mumia e Leninit. Ata kurrë nuk do të mund të vlerësohen si heronj, sepse kanë qenë thjesht kriminelë. Si të tillë duhet të trajtohen gjithkund, edhe në Kosovë. Pra, edhe Fadil Hoxha, i cili ishte zëvendëskomandant i kolonelit famëkeq, Savo Dërleviqit, në drejtorinë ushtarake, (8 shkurt 1945) kur ajo drejtori zbatoi masakrat e përbindshme kundër popullit shqiptar të Kosovës. Fadil Hoxha ishte edhe kryetari i parë i qeverisë kukull- proserbe, menjëherë pasi Hoxha me bashibozukët e tjerë, e pranuan me turp në Kuvendin e Prizrenit (8-10 korik 1945) me mbetjen e Kosovës nën Serbi. Fadil Hoxha ishte edhe nënkryetar i kriminelit Josip Broz Titos, që është përgjegjës për vrasjen/asgjësimin e 1.017.000 (një milionë e shtatëmbëdhjetë mijë viktima gjatë regjimit të tij gjakatar (1944-1980.) Çka duhet më shumë për një drejtues ushtarak e politik, që të dyshohet për krime? 

 PKJ ishte organizatë kriminale, Tito ishte njëri nga kriminelët më monsturozë të shekullit XX

Krimet e kryera nga regjimet komuniste janë të llahtarshme në përgjithësi. Edhe krimet e kryera në ish Jugosllavi, nga regjimi komunist dhe të urdhëruara nga lideri komunist Josip Broz Tito, janë të lemerishme.  Josip Broz Tito, si lideri absolut i regjimit komunist (kryeministër 1945-1953) president shteti (1953-1980) kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, komandant supreme i Forcave të Armatosura deri sa vdiq në vitin 1980) llogaritet krimineli i pestë, në rangimin e kriminelëve më të mëdhenj komunist të shekullit XX, pas Stalinit, Mao Ce Dunit, Leninit dhe Pol Potit. Sipas disa përllogaritjeve që janë bërë deri sot, por që nuk janë definitive, gjatë regjimit komunist jugosllav, të drejtuar nga Josip Broz Tito, në ish Jugosllavi janë vrarë, ose kanë vdekur nga ekspozimi kushteve çnjerëzore (në kampe, nga shpronësimi, etj.)  1.17 milionë njerëz! Vrasjet e këtyre njerëzve në gjithë hapësirat e ish federatës jugosllave, pra edhe në Kosovë e në viset e tjera shqiptare, janë realizuar me urdhëra politikë nga kreu i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, i ka zbatuar armata jugosllave dhe agjencitë sekrete (OZN-a, UDB-a, VOS, KOS, etj.) E sigurt është që edhe gjatë kohës sa vazhdonte lufta antifashiste e veçmas pas fitores së komunistëve, vrasjet janë bërë si pjesë e politikave të planifikuara me detaje, për shkatërrimin e kundërshtarëve, madje edhe të atyre që ishin antifashistë por nuk ishin komunistë. Qëllimi final ishte marrja e pushtetit me dhunë. Pra, ka qenë politikë e planifikuar dhe e kontrolluar me detaje nga kreu politikë. Të gjitha listat e hartuara të personave që janë torturuar e vrarë, e që u janë marrë pronat, janë miratuar në organet ekzekutive partiake e të sigurisë. Vitet e fundit në Kroaci, Slloveni po pjesërisht edhe në Serbi, kanë filluar të publikohen dokumente që hedhin dritë mbi këto politika kriminale e gjenocidale te Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të Titos e të krerëve të tjerë komunistë jugosllav. Tashmë janë publikuar jo pak direktiva, urdhëra, depesha, vendime gjykatash, që dëshmojnë se krimet janë kryer me paramendim, sipas planifikimeve politike të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe urdhërave direkte të udhëheqjes së saj. Për shembull, personi i quajtur Mirosllav Haramija, i cili kishte shërbyer si inspektor sanitar, për të penguar epidemitë në zonat kroate ku kryheshin masakrat, kishte lënë më vonë këtë dëshmi tronditëse:  “Viktimat ishin tmerrësisht të gjymtuara. Vendpushkatimet ishin përplot trupa njerëzish të copëtuar e të masakruar. Kokat u ishin prerë, ose u ishin copëtuar e sopata, shumëve u ishte prerë gabzherri, u ishin prerë organet gjenitale dhe gjinjtë.  Shumicës së viktimave u janë nxjerrë organet e brendshme, kryesisht zemra, mëlqia dhe moitra, deri sa ishin ende gjallë.”  Këso krimesh nuk janë bërë vetëm në Kroaci,  po edhe në Slloveni, në Bosnjë e Hercegovinë, në Vojvodinë e në Kosovë, po nuk përjashtohet që kanë ndodhur edhe në në Mal të Zi, në Maqedoni e madje edhe në Serbi. Edhe pse pas marrjes së pushtetit me dhunë, regjimi komunist, nuk ka pasur opozitë të organizuar, prapë se prapë ka vazhduar likuidimet dhe vrasjet masive të kundërshtarëve realë po edhe të atyre fiktivë.  Goli Otoku ka qenë vetëm vazhdim i asaj politike kriminale të ushtruar nga regjimi komunist i Titos dhe kamarilës së tij, anekënd Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë, që nga viti 1944.
Krimet e komunizmit duhet të dënohen edhe për një fakt tjetër: regjimi komunist jugosllav me Titon në krye, bënë tradhti edhe ndaj aleatëve perëndimorë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, sepse me shkatërrimin e kundërshtarëve ideologjikë, edhe të antifashisëtve, ata nuk lanë mundësi që të kishte zgjedhje të drejta e të lira pas luftës. Ata e futën shtetin në vathën e Stalinit, duke ia kundërënë për shumë kohë Perëndimit.     

Me çfarë metodash i kryen komunistët jugosllavë krimet e tyre

Tipologjia e metodave dhe mjeteve me të cilat regjimi komunist jugosllav ka kryer krimet, dëshmon se PKJ ishte një organizatë kriminale dhe strukturat e saj shtetërore poashtu ishin struktura kriminale. Edhe ushtria jugosllave e udhëhequr nga kreu komunist mori që nga fillimi tiparet e një organizate tipike terroriste, për çka ka dëshmi të shumta. Ndërsa, agjencitë që u krijuan prej PKJ që nga viti 1944 (OZN-a), 1946 (UDB-a, VOS- KOS) ishin që nga fillimi të strukturuara si organizata terroriste, për likuidim të kundërshtarëve, vrasje në masë, plaçkitje, terror.  Kaq shumë ishte krimi komunist i legjitimuar, saqë komunistët jugosllav e kanë përjetësuar edhe në shtypin e vet, duke treguar metodat që përdoreshin për shkatërrimin e ”armiqve të popullit.” Këto ishin metodat që përdoreshin për likuidimin e njerërzve, ku shumica absolute faji  e vetëm e kishin q ënuk ishin komunistë:        

1.    Ekzekutim me plumb në qafë
2.    Copëtim në katër pjesë
3.    copëtim pjesë-pjesë të gjymtyrëve
4.    shqyerje me qerre
5.    nxjerrja e syve dhe detyrimi i të dënuarit që t’i hajë sytë e vet të saponxjerrë
6.    djegie me hekur të skuqur
7.    futja e duarve dhe këmbëve të të dënuarit në ujë të valë
8.    prerje me sharrë
9.    ngulja në hu
10.    tredhja e meshkujve
11.    varrosja e njerëzve për së gjalli
12.    hedhja e njerëzve të gjallë në shpella (humnera)
13.    vrasje me tokmak.
Një anëtar i OZN-as, shumë vitë më vonë, ka dhënë edhe këtë dëshmi: “Kishte raste kur në burg u dredhej qafa, u thyheshin këmbët, goditeshin me tyta pushkës në brinjë dhe me kondak në shpatulla, rraheshin me gjithfarë mjetesh, u nxirreshin dhëmbët, u bëhej shoku elektrik, dërrmoheshin me uri. Pas këtyre torturave, ata njerëz i dërgonin në vendpushkatime, të gjymtuar nga torturat dhe elektriciteti, me sy të nxjerrë e të ngjashme.” Vetë Aleksandër Rankoviqi, sipas gazetës Politika në një raport të praqitur në Kuvendin e Beogradit, më vitin 1951 deklaronte : “Nëpër burgje tona në vitet 1945-1951 kanë kaluar 3.777.776 të burgosur, ndërsa i likuiduam 586.000 armiq të popullit.”
Në mesin e atyre të burgosurve dhe atyre të vrarëve/të masakruarve, ka pasur edhe me mijëra shqiptarë, që nga ata që u dërguan për t’u likuiduar në Tivar, ata që i zhdukën në frontet e Sremit, ata që i vranë në luftë kundër Shaban Polluzhës e kundër LNDSh, ONDSH-së e me mijëra të tjerë që thjesht i morën nga shtëpitë e tyre dhe i vranë pa gjyq.
Për ata mijëra shqiptarë të masakruar e të vrarë nga armata jugosllave, nga OZN-a, UDB-a e KOS më vonë, udhëheqësit komunistë shqiptarë të Kosovës, minimalisht bartin përgjegjësi objektive. Ata kanë qenë në pozita drejtuese, ndërsa i kanë mbyll sytë para terrorit që ushtrohej mbi bashkëkombasit e tyre. Fatkeqësisht, shumë prej tyre kanë marrë pjesë aktivisht dhe me entuziazëm revolucionar në ato masakra dhe vrasje masive. Fjala vjen, Fadil Hoxha personalisht ka urdhëruar fillimin e goditjes së vullnetarëve të Shaban Pollluzhës, në cilësinë e komandantit të Shtabit Operativ të Kosovës. Në urdhërin e Fadil Hoxhës  theksohej që armikut “t’i shkaktohen sa më shumë viktima”, pra urdhërohej që të vriteshin sa më shumë shqiptarë. Për këso arsyesh, vërtet, pa një proces të gjerë kurrë nuk do të mirret vesh e vërteta për krimet e komunizmit edhe ne Kosovë. Nëse nga viti 1945 deri në vitin 1951 në ish Jugosllavi janë burgosur 3.777.776 të burgosur, ndërsa janë vrarë 586.000 “armiq të popullit”, sikundër e pranonte publikisht Rankoviqi, nuk ka të dhëna eksplicite se sa janë burgosur e sa janë vrarë deri në vitin 1966, kur shkarkohet nga posti Aleksander Rankoviqi. Por, me siguri janë edhe shumë. Dhe aqë më pak dihet se sa janë vrarë, sa janë burgosur e sa anë dëbura me dhunë nga Kosova.  Dhe ajo që është e hidhur edhe më shumë, janë me mijëra shqiptarë, që janë të zhdukur dhe kurrë nuk u janë gjetur eshtrat deri sot. Metoda e zhdukjes së kufomave është aplikuar masivisht nga kriminelët komunistë jugosllav. Kjo metodë çnjerëzore është përdorë edhe nga fashistët serbë në luftërat e fundit në ish Jugosllavi. Është përdorur gjerësisht edhe në Kosovë.

Dekontaminimi i artit dhe dijes nga fantazmat komuniste

Deri sa po hulumtoja për shkallën e kontaminimit të artit tonë me figurat e komunizmit jugosllav, që nga Titoja, Rankoviqi e deri te Fadil Hoxha, hasa edhe në një këngë, (“Ti moj çikë cucë Malsie”) të cilën e interpretojnë Hamidja (në një vend etiketohet si Hamide magjupja) dhe Bajrush Doda. Vargu i këngës së famshme “Me Enver Hoxhën zemër çelik,” ishte zëvendësuar  “me Fadil Hoxhën zemërçelik”. Fatkeqësisht, përjetimi  i këtyre figurave si supermenë, ende është aktiv. Prandaj edhe dalin kërkesa si ajo e akademikëve të ASHAK-ës që i bashkohen mendimit të Hamide magjupes për Fadil Hoxhën. Akademikët tanë menduakan se Fadil Hoxha duhet të nderohet me çmimin “Nderi i Kombit”, ngase paskësh qenë “zemërçelik”, ndërsa ai dhe shokët e tij  kanë qenë zemërhekur ndaj bashkëkombasve të vet e si pulat e lagura para urdhërave antishqiptare të Titos, Rankoviqit, Dërleviqit, Popoviqit, Mugoshës, Gjakoviqit e kriminelëve të tjerë. Fatkeqësisht, ka këngë glorifikuese edhe për Titon, madje edhe për Rankoviqin!
Ndoshta kontributi i duhur i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në këtë fazë dhe në këtë temë do të duhej të ishte studimi i këtij arti pervers, ku ne shqiptarët e shkretë, jemi detyruar t’i madhërojnë edhe në këngë vrasësit tanë. Ndërsa, Universiteti i Prishtinës, do të duhej të inkuadrohej në një proces të gjerë dekontaminimi nga mbeturinat ideologjike jugokomuniste, për fillim duke tërhequr mbrapshtë titullin “doctor honoris causa” që u pati dhënë Josip Broz Titos e më duket edhe Fadil Hoxhës. 



 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.