Arsim për kompetencë

Ashtu sikurse që ka mënyra të mira dhe të këqija për të edukuar fëmijët tanë, ka edhe fruta të embë dhe të hidhur të cilët një ditë vjelen nga arsimimi i tyre. Ata që e kuptojnë këtë e kuptojnë se kualiteti i arsimimit (ose mungesa e tij) e përcjell njeriun gjatë gjithë jetës, pikërisht ashtu si thotë një ekspert i njohur i arsimit nga Harvardi:” Ne jemi robër të fotografive dhe përvojave që kishim gjatë arsimimit dhe edukimit”.

Jo vetëm zhvillimi ekonomik e progresi shoqëror, por edhe e tashmja dhe e ardhmja e një shteti a kombi është një përpjekje dhe luftë e ashpër nga logu i së cilës ka vetëm dy rrugë për në dy vende të ndryshme: Cilësinë e arsimimit e dijes (që sjellë progresin) ose e lundërta e saj që heret a vonë, në një formë ose tjetër dërgon në honet e thella të humnerës.

Ata që arsimin e shohin si pararendës të zhvillimit ekonomik dhe aftësisë së përballjes së konkurrencës së shëndoshë me të tjerët, bëjnë hapin e madh të kufizimit dhe orientimit të qartë  të sistemit arsimor të një vendi se a do të kenë synim dhe objektiv kompetencën apo diplomën.

Koreja Jugore dhe Finlanda janë dy shtete nga të cilat mund të mësohet shumë për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe edukimit. Pavarësisht se me sisteme pothuajse diametralisht të kundërta arsimore ato kanë pothuajse rezultate të njëjta – dhe janë në krye të listës së shteteve në nivel global për cilësi, duke dëshmuar se rrugët drejt suksesit edhe pse jo uniforme, megjithatë dërgojnë në të njëjtin vend- në sukses.

Përderisa po lexoja në një revistë të huaj një artikull  studimor rreth sistemit arsimor të Koresë së Jugut, një fotografi shoqëruese e tij më bëri shumë përshtypje. Një grumbull i madh grash duke u lutur, jo në ndonjë objekt fetar, por  para një shkolle! Dhe arsyeja – fëmijët e tyre ishin brenda duke iu nënshtruar provimit vjetor te pranimit ne fakultet. Ky është provimi më i rendësishëm ne jetën e tyre, pasi që dëshmon për njohuritë e tyre të fituara.

Përderisa nxënëxit i nënshtrohen provimit voluminoz që zgjatë me orë të tëra, nënat luten për suksesin e fëmijve të tyre, por jo siq bëjnë zakonisht një numër njerëzish që fenë e përdorin si trampolinë vetëm kur ballafaqohen me  vështërsi dhe që e harrojnë atë sapo të kenë kaluar problemin. Luten, jo si pjesë e një rituali sipërfaqësor dhe të pavetëdijshëm, por si pjesë e një mentaliteti të thellë punues, të një kulture që nuk njeh dështim, të një dëshire të zjarrtë për sukses dhe të një përpjekje me energji të pashterrshme. Dhe ajo lutje nuk ka qëllim që të degjeneroj në gjetjen e një ‘intervence’, në kërkimin e një ‘dere të vogël’ nga ku  fëmiu i tyre do të katapultohej në botën akademike pa meritë. Sepse ka vetëm një gjë që kërkohet me ngulm nga prindërit- kompetenca, aftësia e dija, dhe në asnjë mënyrë vetëm kredencialet apo diploma si dokument formal.

Sistemi arsimor i Koresë Jugore është ndër më cilsorët në botë, dhe është ai që siguroj bazën e zhvillimit ekonomik të vendit, i cili vetëm rreth 50 vite më pare  ishte totalisht i shkatërruar nga lufta. Dhe modeli i këtij sistemi është i thjeshtë: Punë, punë, punë të pandërprerë. Nxënëxit i nënshtrohen një angazhimi, discipline dhe rreptësie ekstreme. Dhe natyrisht edhe një presioni e stresi të lartë. Mirëpo, e tërë kjo bëhet me vetëdije të plotë, duke duruar dhimbjet e vuajtjeve afatshkurtëra për të arritur kënaqësinë afatëgjatë. Eshtë interesant se ky mentalitet nuk mbështetet në talent por në punë. “Mund të bëhesh shumë i menqur vetëm nëse mëson/studjon shumë”, kjo është deviza që i udhëheqë në jetë.

Vlen të përmendet edhe niveli i lartë i  mbështetjes financiare për arsimin (në planin privat por edhe publik). Kështu p.sh. në kuadër të totalit të shpenzimeve publike Korea Jugore shpenzon afër 17% për shpenzimet publike në arsim, duke u renditur ndër vendet e para në botë në këtë drejtim.

Në anën tjetër edhe Finlanda ka sistem arsimor shumë të suksesshëm por si model diametralisht i kundërt. Për dallim nga Koreja, këtu ka një shkallë më të lartë fleksibiliteti dhe më të vogël të rreptësisë, duke vendosur theksin në rritjen e motivimit të nxënësve përmes metodave të ndryshme. Pothuajse në të njëjtën kohë, sikurse Koreja Jugore edhe Finlanda ishte një vend i pazhvilluar që mbështetej në pylltari dhe bujqësi. Për atë kohë shpesh thuhet se finlandezët të vetmën gjë që bënin ishte prerja e vazhdueshme pyjeve.

Vendi rrëgjohej nga shfrytëzimi jo efikas i resurseve dhe nuk kishte të ardhme të qartë. Bile edhe rrezikohej që të mbeste jashtë Europës në kuptim të prapambeturisë dhe mungesës së vizionit për zhvillim ekonomik dhe progress shoqëror. Liderët përfshirë pozitë e opozitë, duke pare tatëpjetën që kishte marrë vendi u dakorduan për kurs të ri, ku njëra nga pikat kryesore ishte reforma e thellë e sistemit arsimor. Dhe filluan në themelet e sistemit- ndryshimet rrënjësore në shkollimin e mësuesve, duke mbyllur me dhjetëra fakultete ku studjonin mësuesit. Në tërë shtetin u lejuan vetëm tetë sosh dhe në të cilat u vendos sistemi strikt i kontrollit të kualitetit.

Nuk mund të kishe as sistem të duhur arsimor dhe as nxënës të përgatitur pa mësues të mire. Ky ishte fillimi para rreth pesë dekadave, për të arritur sot në njërin nga vendet me arsim më të zhvilluar, e mbi të gjitha edhe me ekonomi e mirëqenje të lartë.

Këto dhe shtetet tjera me sistemin arsimor më të avancuar në botë, pavarsisht rezultateve të arritura nuk rreshtin së punuari në reformimin e vazhdueshëm të arsimit të tyre. Nga modelet, përvojat dhe rezultatet e tyre mund të mësohet shumë në sistemin arsimor. Dhe sidomos nga mënyra se si u janë qasur ndryshimeve.Sepse është e qartë se në kohët e sotme madje dhe sistemet më të avancuara nëse nuk ndryshojnë e reformohen vazhdimisht ngelin prapa dhe i shkelë koha.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.