A ekziston miqësia mes mashkullit dhe femrës?

A mund të jenë meshkujt dhe femrat miq? Kësaj dileme shekullore, që u ka dhënë rastin poetëve dhe skenaristëve të të gjitha epokave të shkruajnë dhe të fantazojnë romanca, i është përgjigjur edhe shkenca, duke tentuar së fundmi të sjellë një zgjidhje, transmeton Gazeta Monitor.

“Megjithatë, përgjigjja është më se e qartë. Mes meshkujve dhe femrave miqësia nuk mund të jetë në fund të fundit e vërtetë dhe arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse ata herët a vonë do të mendojnë për seksin”, thotë një studim psikologjik i kryer në Normandi dhe i publikuar në faqet e “Evolutionary Psychology Journal”.

Rezultatet e studimit

Nga studimi, i realizuar te një kampion prej 308 të rinjsh nga mosha 18 deri në 30 vjeç, del se, ndërsa femra i interpreton sinjalet e interesit seksual të mashkullit si miqësi, mashkulli i lexon sinjalet e miqësisë femërore si interes seksual. Ashtu siç eksperienca e përditshme na e mëson, ka shumë pak miqësi të tilla me finalet “Herri të prezantoj me Selin” (filmi “When Harry Met Sally”). Pra meshkujt kanë tendencë që të keqkuptojnë ato që janë thjesht gjeste miqësie dhe simpatie, ndërkohë femrat, nga ana tjetër, e nënvlerësojnë tërheqjen nga ana e seksit tjetër, duke supozuar se mungesa e interesit është reciprok. Asgjë tjetër veç sensit të përbashkët, thuhet në studimin në fjalë, që konfirmon të dhënat e marra nga sondazhet e mëparshme. Në vitin 2009, “Pacific and Asian Communication Association”, kishte vënë re se si meshkujt kishin tendencë të lexonin sjelljet femërore si çelës seksual më shumë sesa ç’bënin femrat me ta. Pas kësaj tendence, mund të gjendet një arsye e lidhur me evolucionin ose me identifikimin e partnerëve të mundshëm. Ndërkohë, në vitin 2012, një studim anglez i Universitetit të Harvardit tregoi se për meshkujt ishte më e thjeshtë që të tërhiqeshin seksualisht nga shoqet, një gjë shumë e kundërt për këto të fundit.Një situatë potencialisht e rëndë keqkuptimesh, që mund të minojnë që në lindje ose në një fazë më të avancuar një miqësi. Edhe pse, mesa duket, për gjeneratat e reja miqësia mes sekseve të kundërt, duket si diçka që lind më natyrshëm sesa më parë.Disa ekspertë psikologjie thonë se gratë dhe burrat nuk mund të krijonin miqësi, për shkak të së kaluarës kur gratë rrinin në shtëpi, ndërsa burrat punonin dhe se arsyeja e vetme që i sillte ata së bashku, ishte marrëdhënia romantike.Ekspertët thonë se femrat vendosin që të krijojnë miqësi me meshkujt më shpesh gjatë momenteve kur kanë ndonjë pakënaqësi ndaj lidhjes aktuale apo ndaj statusit të tyre emocional. Varësisht nga shkalla e pakënaqësisë, luhatet edhe niveli i miqësisë.

Kriteret e shoqërisë

Bazuar në përkufizimin e miqësisë ose të shoqërisë, ajo nuk mund të ekzistojë veçse mes dy personave të të njëjtit seks. Përndryshe, nëse pretendojmë miqësi mes dy personave të sekseve të ndryshme, sigurisht se do të kemi edhe një “pëlqim” instinktiv dhe të natyrshëm mes djalit e vajzës, burrit ose gruas. Në këtë rast, kemi të bëjmë me diçka më shumë sesa miqësia, kemi të bëjmë me dashuri dhe simpati. Edhe pse njëra palë mund ta mohojë këtë fillimisht ose mund edhe të mos e perceptojë drejt, ata mund dhe të hiqen sikur e kanë situatën nën kontroll. Ndryshimet e modeleve shoqërore të miqësisë në sferën e punës, arsimit të lartë dhe të aktiviteteve të lira, kanë sjellë që shoqëria mes burrave dhe grave të arrijnë nivele të papara. Mirëpo, një instinkt i fshehur thellë, i zhvilluar gjatë qindra mijë viteve të evolucionit, mund ta bëjë gjithçka më të ndërlikuar sesa duket. 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.