×
  • Lajme
  • Botë

    Afera “Pegasus”/ India, Arabia Saudite, Hungaria e Azerbejxhani shfrytëzuan sistemin e spiunazhit të kompanisë izraelite

    Reporteri
    20 Korrik 2021 | 18:05
    Projekti Pegasus - Izrael - Reporteri

    Në vitin 2017, shumë pak është debatuar se Izraeli dhe Arabia Saudite ishin armiq rajonalë. Zyrtarisht, vendet nuk kishin lidhje diplomatike. Megjithatë, për një grup të vogël biznesmenësh izraelitë që morën pjesë në takime sekrete me zyrtarë sauditë në Vjenë, Qipro dhe Riad atë verë, kishte shenja që marrëdhëniet po ngroheshin.


    Biznesmenët që përfaqësuan kompaninë “NSO Group” kishin mision t’u shesin sauditëve sistemin e spinuazhit “Pegasus”.

    Sipas një personi, shkruan “The Guardian” pjesëmarrjes në takim në qershor të vitit 2017 në Qipro, një zyrtar i lartë i inteligjencës saudite ishte “i mahnitur” nga ajo që pa aty.

    Pas një diskutimi të gjatë dhe teknik, spiunit saudit, i cili kishte sjellë një iPhone të ri, iu tregua se si Pegasus mund të infektojë telefonin dhe më pas të përdorë kamerën e tij të operojë nga distanca.

    “Ju nuk keni nevojë të kuptoni gjuhën e tyre për të parë se ata ishin të mahnitur dhe të ngazëllyer dhe se ata panë atë që kishin nevojë”, tha personi në fjalë, shkruan në shqip Gazeta Online “Reporteri.net”.

    “NSO Group” u ishte dhënë leje nga qeveria izraelite për t’u përpjekur t’u shesë sauditëve mjetet izraelite. Ishte një marrëveshje e klasifikuar dhe rezultoi që shitja të arrihej më vonë në Riad dhe thuhet se vlen plot 55 milionë dollarë.

    “Në Izrael ka një lëvizje të fortë politike për të bërë diplomaci përmes biznesit. Së pari biznesi, pastaj diplomacia. Kur bëni një marrëveshje të hapen shumë dyer në diplomaci”, tha ky person, gjithmonë në kushte anonimiteti.

    Por, zbulimet rreth asaj se si shtetet si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Azerbajxhani dhe të tjerat kanë përdorur teknologjinë e “NSO” për të synuar avokatë të të drejtave të njeriut, aktivistë dhe gazetarë ngrenë pyetje për Izraelin dhe e kanë vënë këtë çështje nën vëzhgim të ri.

    Mirëpo, të njëjtat zbulime kërcënojnë të ushtrojnë presion diplomatik mbi Izraelin, nëse ai po përdor licencimin e spiunazhit të NSO për ndikim politik – dhe lejon që softueri të shitet në vendet jodemokratike që ngjan në atë se do e keqpërdorin.

    Një raport i fundit i transparencës i lëshuar nga “NSO Group” pranoi që kompania ishte rregulluar nga autoritetet e kontrollit të eksportit në Izrael. Agjencia e Kontrolleve të Eksportit të Mbrojtjes (DECA) brenda ministrisë izraelite të mbrojtjes “kufizon rreptësisht” licencimin e disa produkteve të mbikëqyrjes bazuar në analizën e saj të klientëve të mundshëm nga një perspektivë e të drejtave të njeriut, tha kompania, dhe kishte refuzuar kërkesat e OST-së për licenca eksporti “në mjaft raste”.

    Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili në 2016 lavdëroi Benjamin Netanyahu për bashkëpunimin e ngushtë të Izraelit me Baku në industritë e mbrojtjes.

    Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili në 2016 lavdëroi Benjamin Netanyahu për bashkëpunimin e ngushtë të Izraelit me Baku në industritë e mbrojtjes. Fotografoi: Roman Ismayilov / EPA

    Brenda NSO, procesi që Izraeli përdor për të vlerësuar se në cilat vende mund të shitet teknologjia konsiderohet si një “sekret shtetëror”.

    Në rastin e Arabisë Saudite, burimet e njohura me këtë çështje thanë se mbretëria e ndërpreu përkohësisht përdorimin e Pegasus në 2018, për disa muaj, pas vrasjes së Jamal Khashoggi, por u lejua të fillonte sërish në vitin 2019, pas ndërhyrjes të qeverisë izraelite.

    Mirëpo është e paqartë se si qeveria izraelite nxiti NSO Group të rilidhë mjetin e mbikëqyrjes për qytetin e Riad.

    Sidoqoftë, 10 vendet që sugjeron analiza mjeko-ligjore për projektin Pegasus, në të vërtetë kanë abuzuar me teknologjinë, ku të gjithë i shijojnë marrëdhëniet tregtare me Izraelin.

    Në dy vendet, Indi dhe Hungari, të dyja klientë të NSO, duket se qeveritë filluan të përdorin teknologjinë pasi kryeministrat e tyre përkatës u takuan me kryeministrin e atëhershëm izraelit, Benjamin Netanyahu, në takime të profilit të lartë që synonin të rritnin bashkëpunimin tregtar dhe të sigurisë. Kuptohet që asnjë vend që konsiderohet armik i Izraelit – siç është Turqia – nuk është lejuar të blejë produkte të NSO.

    Benjamin Netanyahu, në të majtë, dhe Viktor Orbán – Takimi në Budapest në vitin 2017 / Fotografoi: Balázs Mohai/AP

    Ajo që mbetet e paqartë është nëse agjencitë e inteligjencës së Izraelit mund të kenë privilegje të veçanta me NSO, të tilla si qasja në materialin e mbikëqyrjes të mbledhur duke përdorur përgjimet e saj. Një person i afërt me kompaninë, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se kjo ishte një temë e shpeshtë spekulative. Të pyetur nëse Izraeli mund të përdorte inteligjencën e mbledhur nga klientët e NSO, ata u përgjigjën: “Amerikanët mendojnë kështu.”

    Kjo pikëpamje u mbështet nga zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane, të cilët i thanë Washington Post, partner në projektin Pegasus, se ekzistonte një supozim se Izraeli kishte një farë mundësie – përmes një “deriçke” – në inteligjencën e zbuluar përmes mjeteve të tilla të mbikëqyrjes.

    John Scott-Railton, një studiues i vjetër në Citizen Lab në Universitetin e Torontos, tha se ai besonte se do të ishte “e papërgjegjshme” për një shtet të lejonte shpërndarjen në shkallë të gjerë të një mjeti të fuqishëm të mbikëqyrjes si Pegasusi, pa qenë në gjendje të vëzhgonte se çfarë po bëhej me të.

    John tha se të dhënat e gjykatës kishin zbuluar se NSO Group përdorte serverë që nuk gjendeshin gjithmonë në ambientet e klientit.

    NSO mohoi gjithashtu se Izraeli kishte qasje në sistemin e klientëve të saj.

    “NSO Group” është një kompani private. Nuk është një ‘mjet i diplomacisë izraelite’; nuk është një derë e fshehtë (pasme) për inteligjencën izraelite; dhe nuk merr drejtim nga asnjë udhëheqës qeveritar” ishin fjalët e avokatit të NSO.

    Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes së Izraelit tha se Izraeli tregtoi dhe eksportoi produkte kibernetike në përputhje me Aktin e Kontrollit të Eksportit të Mbrojtjes të vitit 2007 dhe se vendimet e politikave marrin parasysh “sigurinë kombëtare dhe konsideratat strategjike”, të cilat përfshijnë respektimin e aranzhimeve ndërkombëtare.

    “Si çështje e politikës, shteti i Izraelit miraton eksportin e produkteve kibernetike ekskluzivisht tek subjektet qeveritare, për përdorim të ligjshëm, dhe vetëm për qëllimin e parandalimit dhe hetimit të krimit dhe kundër terrorizmit, nën certifikatat e përdorimit përfundimtar / të përdoruesit të fundit të siguruara nga qeveria marrëse”, tha ministria.

    Ai tha se “masat e duhura” ishin marrë në rastet kur artikujt e eksportuar përdoren në shkelje të licencave të eksportit.

    Ministria gjithastu shtoi se Izraeli nuk ka qasje në informacionin e mbledhur nga klientët e NSO Group.

    Për Izraelin, pak klientë të cilët i ka miratuar të përdorin projektin Pegasus kanë qenë po aq problematikë sa sauditët. Javë më parë, NSO ia ndërpreu qasjen mbretërisë saudite, pas akuzave se Arabia Saudite kishte përdorur projektin Pegasus për të hakuar dhjetra gazetarë të Al Jazeera.

    Ndërsa, Arabia Saudite refuzoi të komentojë këtë çështje, përcjell në shqip Reporteri.net, artikullin e “The Guardian”.

    “Projekti Pegasus” është një hetim bashkëpunues gazetaresk ndaj NSO Group dhe klientëve të tij. Kompania shet teknologji të mbikëqyrjes së qeverive në të gjithë botën. Produkti i tij kryesor është Pegasus, softuer spiunimi që për synim ka iPhone dhe pajisjet Android.

    Hulumtimi është bërë nga 17 organizata globale të lajmeve – përfshirë “The Guardian” dhe “The Washington Post” – të cilët kanë bashkuar përpjekjet e tyre në një konsorcium të quajtur projekti Pegasus.

    VËMENDJE: Pjesë nga afera e spiunazhit ‘Pegasus’, të përkthyera në shqip nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, mund t’i gjeni KËTU…

    /Përktheu dhe përshtati në shqip: Linda Ibrahimaj – Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!