×
  • Lajme
  • Botë

    Amerikanët duan t’ua marrin gjermanëve vaksinën e coronavirusit, Gjermania përpiqet t’i pengojë

    Reporteri
    16 Mars 2020 | 10:01

    Berlini po përpiqet të ndalojë Uashingtonin që ta bind një kompani gjermane e cila po e zhvillon vaksinën kundër coronavirusit për ta transferuar atë në SHBA, ka raportuar Reuters.


    Një burim i qeverisë gjermane i tha Reutersit dje se administrata amerikane po përpiqet të gjejë një mënyrë për ta transferuar në SHBA zhvillimin e vaksinës së coroanvirusit, të cilin po e bën kompania gjermane CureVac, përcjell Reporteri.net.

    Më parë, e përditshmja gjermane Velt am Zontag raportoi se Presidenti amerikan Donald Trump i kishte ofruar para kompanisë CureVac për ta joshur që të transferohej në SH.B.A. dhe se qeveria gjermane kishte bërë kundër-oferta për ta mbajtur kompaninë në vend.

    “Qeveria gjermane është shumë e interesuar të sigurojë që vaksinat koronavirus dhe substancat aktive të zhvillohen në Gjermani dhe Evropë,” tha një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Shëndetësisë, duke konfirmuar shkrimet e mediave.

    “Në këtë drejtim, qeveria është në një kontakt intensiv me CureVac,” shtoi ai.

    Velt am zontag citoi gjithashtu një burim nga qeveria gjermane, i cili tha se Trump po përpiqej të fitonte të drejta ekskluzive mbi punën e shkencëtarëve dhe do të bënte gjithçka për ta sjellë vaksinën në SHBA, “dhe vetëm për Shtetet e Bashkuara”.

    Një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Ekonomisë tha gjithashtu se Berlini zyrtar ishte “shumë i interesuar” për prodhimin e vaksinave në Gjermani. Ajo nuk pranoi të komentojë opsionet e ndërmarrjes, por përmendi ligjin gjerman të tregtisë së jashtme, sipas të cilit Gjermania ka të drejtë të vlerësojë ofertat e marrjes nga subjektet jashtë BE-së, të ashtuquajturat vende të treta “në rastin e interesave kombëtare ose të BE” .
    Ambasada e SHBA’së nuk ishte në dispozicion për të komentuar rastin, shkruan Reuters.

    Florian von der Mjelbe, shefi i prodhimit të CureVac, i tha Reuters javës së kaluar se kompania ka filluar punën për një numër të kandidatëve për vaksina koronavirus dhe tani është në proces të zgjedhjes së dy më të mirëve për të hyrë në procedurën e provës klinike.

    Kjo kompani në pronësi private, me qendër në Tibingen, shpreson të ketë një vaksinë eksperimentale të gatshme deri në qershor, kur do të kërkojë nga autoritetet t’i lejohet një test njerëzor.

    Në fillim të këtij muaji, kompania tha që CEO i saj u takua me Trump, nënkryetarin e SHBA’së Mike Pence, anëtarët e ekipit Coronavirus të Shtëpisë së Bardhë dhe përfaqësues të lartë të kompanive farmaceutike dhe bioteknike për të diskutuar vaksinën.

    Karl Lojterbach, një profesor i ekonomisë shëndetësore dhe epidemiologjisë i cili është anëtar i Partisë Social Demokratike, u përgjigj në Twitter, duke shkruar: “Shitja ekskluzive e një vaksine të mundshme në Amerikë duhet të parandalohet në çdo mënyrë. Kapitalizmi ka një kufi.”

    Në 2015 dhe 2018, CureVac mori mbështetje financiare për zhvilluar projekte nga firma e investimeve e Bill dhe Melinda Gates kur punonte kundër malarias. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!