×
  • Lajme
  • Botë

    Armin Laschet, zyrtarisht kandidat për kancelar i CDU/CSU

    Reporteri
    20 Prill 2021 | 20:26

    Kreu i CDU-së, Armin Laschet i ka mbijetuar sfidës së kreut të CSU-së bavareze dhe është shpallur ditën e sotme zyrtarisht si kandidati për kancelar i konservatorëve gjermanë për të qenë pasardhës i Angele Merkel.


    Sfida nga ana e Markus Soder, u shpall pas dështimit të konservatorëve në disa zgjedhje rajonale ku morën rezultatin më të ulët që pas Luftës së Dytë Botërore, një disfatë kjo që u interpretua pjesërisht me mungesën e popullaritetit dhe vitalitetit të liderit të ri të zgjedhur në muajin Janar. Sondazhet e opinionit publik tregonin se bavarezi Soder ishte më popullor në publikun e përgjithshëm, por edhe mes konservatorëve që e shihnin si më karizmatik se centristi Laschet.

    Megjithatë, mbledhja e ditës së sotme të Kryesisë së CDU/CSU Laschet ka marrë 31 vota në krahasim me 9 që mori Soder. Ndonëse Laschet i “mbijetoi” sfidës së Soder, vetë fakti që pas 16 vitesh pushteti të Merkel janë ndërruar dy kryetarë partie në 3 vite dhe nuk ka ende konsensus për një kandidat, tregon një ndarje të madhe në kampin më të madh politik në Gjermani.

    Soder nga ana e tij ka pranuar rezultatin dhe është zotuar të mbështesë Laschet, “Vendimi u mor. Laschet do të jetë kandidati ynë i përbashkët për kancelar dhe do të gëzojë mbështetjen e plotë. E kam uruar që në momentin e parë”- ka thënë Soder pas mbledhjes.

    Kujtojmë se ndonëse CDU është subjekti i parë politik, trendi rënës në sondazhe dhe forca e përbashkët e partive të majta, të kryesuara nga Partia e Gjelbër mund të bëjë që për herë të parë në tre dekada, Gjermania të ketë një qeveri krejtësisht të përbërë nga parti të majta. Një skenar i tillë do të kishte një impakt madhor edhe në BE, ku Berlini është eksponenti më i lartë i vendimmarrjes. Vendosja e kauzave ambjentaliste në qendër të axhendës europiane, padyshim do të krijonte një valë reagimesh dhe pasojash që mund të ndryshonin fytyrën e Unionit përgjithmonë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!