×
  • Lajme
  • Botë

    Arrogancë, spiunime dhe sjellje të pahijshme: Pse Ekuadori e dorëzoi Julian Assange?

    Reporteri
    13 Prill 2019 | 12:53

    Arrestimi dramatik i Julian Assange të enjten, ndodhi sepse qeveria e Ekuadorit, e cila e kishte mbrojtur themeluesin e WikiLeaks në Ambasadën e saj në Londër për shtatë vjet, përfundimisht vendosi ta dëbojë.


    Përse ekuadorianët, papritmas, iu kthyen kundër banorit të tyre kontroversial?

    Vendimi u mbështet mbi dy argumente krejtësisht të ndryshme: dëshira për marrëdhënie më të mira me SHBA-në, dhe lodhja me sjelljen e tmerrshme të Assange-it.

    “Ne i dhamë fund azilit të këtij fëmije të llastuar” tha të enjten presidenti ekuadorian Lenin Moreno.

    “Prej tani e tutje do të jemi të kujdesshëm në dhënien e azilit, duke ia akorduar vetëm njerëzve që ia vlejnë, dhe jo hakersave të ndyrë, qëllimi i vetëm i të cilëve është destabilizimi i qeverive”, tha ai.

    Hakeri, i kërkuar nga SHBA për dyshimin se është futur në një kompjuter sekret qeveritar, hyri në Ambasadën e vogël ekuadoriane në Londër në qershor 2012, duke kërkuar azil për të shmangur ekstradimin lidhur me akuzat për sulmet seksuale në Suedi.

    Presidenti i Ekuadorit në atë kohë, Rafael Correa – një majtis anti-amerikan i zjarrtë – e plotësoi kërkesën e Assange.

    Assange, zyrën e tij të vogël-dhomë gjumi të bodrumit të Ambasadës e ktheu në seli të re për operacionet e WikiLeaks.

    Pastaj ai bëri dy gjëra që një njeri në pozitën e tij nuk duhet të bëjë.

    Së pari, vazhdoi të ndërhynte në politikë, duke publikuar emailet e vjedhura të fushatës së Hillary Clinton.

    Duket gjithashtu se ai targetoi edhe strehuesit e tij, me gjasë duke luajtur një rol në publikimin e dokumenteve, ku dëshmohej se Moreno kishte përfituar personalisht nga llogaritë offshore.

    Së dyti, nuk e respektoi shtëpinë e tij të improvizuar, duke abuzuar personelin verbalisht dhe ndoshta fizikisht dhe, më tronditësja, duke i lyer muret me jashtëqitje.

    Shkurt, Assange ua bëri jetën të vështirë strehuesve të tij, në Ambasadë dhe jashtë saj – dhe më në fund ekuadorianëve u erdhi në majë të hundës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!