Austria zgjedh kancelaren e parë grua

Austria ka caktuar kancelaren e parë grua, e cila do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme të shtatorit.


Kryetarja veterane e Gjykatës Kushtetuese, Brigitte Bierlein, u prezantua të enjten nga Presidenti i vendit.

Gjykatësja 69-vjeçare e cila ka shërbyer që në vitet ’70 në organet më të larta të prokurorisë dhe të drejtësisë në vend, u zotua se do të formojë një kabinet profesionistësh, kryesisht me nëpunës civilë.

Bierlein: “Në muajt e ardhshëm do të bëj bashkë një ekip qeveritar me theks te ekspertiza profesionale dhe intuita politike, për të qeverisur të vendosur dhe në të mirë të qytetarëve. Zoti president, ju falenderoj për besimin që po më jepni, dhe ju premtoj juve dhe të gjithë austriakëve se do bëj gjithçka për ta merituar.”

Brigitte Bierlein pritej të dilte në pension në muajt e ardhshëm pasi kishte fituar kreun e Gjykatës Kushtetuese një vit më parë.

Kandidatura e saj u mbështet paraprakisht nga ish-kancelari i djathtë, Sebastian Kurz, i cili këtë javë humbi votëbesimin në parlament.

Shkak u bë shpërbërja e koalicionit qeverisës si pasojë e publikimit të një videoskandali ku ish-aleati i tij shfaqej duke ofruar tendera publikë në këmbim të lajmeve pozitive mediatike gjatë zgjedhjeve parlamentare të dy viteve më parë.

Kancelarja e re dhe ekipi i saj qeverisës pritet të marrin formalisht detyrën në zyrën e Presidentit brenda disa ditëve.