×
  • Lajme
  • Botë

    BE kërkon rishikimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën

    Reporteri
    22 Mars 2019 | 21:59

    Bashkimi Europian e quan të padrejtë marrëveshjen ekzistuese tregtare me Kinën. Kreu i komisionit, Jean-Claude Juncker dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkuan qasje më të gjerë për kompanitë europiane në tregun kinez. Marrëveshja me Kinën ishte tema kryesore e samitit të BE-së, që përkon me vizitën zyrtare të presidentit kinez në Romë.


    Bashkimi Europian, partneri më i madh tregtar i Kinës, synon të arrijë një qasje më të madhe për kompanitë europiane në tregun kinez.

    Duke folur pas Samitit të BE-së, kreu i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker e quajti “të padrejtë” marrëdhënien ekzistuese tregtare, ndërsa nënvizoi gatishmërinë e bllokut për të arritur një marrëveshje investimesh.

    Kreu i ekzekutivit europian tha se tregjet kineze mbeten shumë të mbyllura për kompanitë europiane.

    “Konkurrenca midis Kinës dhe Europës nuk është e drejtë. Për këtë arsye, ne duam të jemi në gjendje të lidhim një marrëveshje investimi me Kinën.”

    Pas Brexit-it, marrëdhënia e BE-së me Kinën zuri pjesën më të madhe të diskutimeve, ndërkohë Samiti BE-Kinë do të zhvillohet më 9 prill.

    Gjatë samitit vendet u koordinuan për qëndrimin që duhet të mbajnë në marrëdhënie me Kinën, ndërkohë ky diskutim vjen në një kohë që Italia dhe Pekini do të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi.

    Të premten, presidentët e ty dy vendeve, Serxho Matarela Xi Xinping, u zotuan të nxisin si lidhjet tregtare, ashtu dhe ato kulturore. Kreu italian nuk la pa adresuar edhe shqetësimet e aleatëve, ShBA-së dhe Bashkimit Europian, që druhen se Kina do të fitojë më shumë nga nisma e saj infrastrukturore, “Një brez, një Rrugë”.

    Për kancelaren gjermane Angela Merkel, BE-ja dhe Kina nuk janë vetëm partnerë tregtarë, por edhe konkurrentë.

    “Konkurrentë jo vetëm në kuptimin ekonomik, por gjithashtu kemi dhe sisteme politike shumë të ndryshme. Gjatë samitit ne e nënvizuam dhe unë parashtrova edhe pikëpamjen e Gjermanisë, se kërkojmë një marrëdhënie të bazuar në reciprocitet.”

    Merkel shtoi se nuk kishte asnjë kritikë për Memorandumin e Mirëkuptimit që nënshkruhet midis Italisë dhe Kinës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!