×
  • Lajme
  • Botë

    Biden i shqetësuar për opozitarin rus, telefonon Putinin

    Reporteri
    26 Janar 2021 | 21:34

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se gjatë bisedës, Biden ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet ruse, përfshirë trajtimin dhe burgosjen e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.


    “Biden gjithashtu tha se Uashingtoni mbështet fuqishëm sovranitetin e Ukrainës, përballë agresionit të vazhdueshëm rus”, tha Psaki.

    Kremlini konfirmoi telefonatën përmes një deklarate në faqen e internetit duke thënë se Putini e uroi Bidenin për marrjen e detyrës dhe se të dy liderët “shprehën kënaqësi” në lidhje me shkëmbimin e notave diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mbi zgjatjen e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START).

    Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny është burgosur fundjavën e kaluar pasi ka arritur në Moskë nga Gjermania. Në shtetin gjerman, Navalny është trajtuar pas helmimit me agjentin nervor, Noviçok. Ai e ka fajësuar presidentin rus, Putin për helmimin.

    Rusia aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, dhe separatistët e mbështetur nga Moska filluan një kryengritje në Donbas, në Ukrainën lindore.

    Konflikti ka lënë të vrarë më shumë se 13.000 njerëz. Ndërkohë, Rusia mohon çdo rol në konflikt./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!