×
  • Lajme
  • Botë

    Biden vazhdon ta udhëheqë garën mes kandidatëve demokratë për president

    Reporteri
    11 Korrik 2019 | 19:00

    Fushata presidenciale e demokratëve vazhdon të ketë ndryshime, ndërsa një kandidat largohet dhe një tjetër i bashkohet një grupi tashmë të madh, me shpresën për t’i zënë vendin presidentit Donald Trump vitin e ardhshëm.


    Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden mbetet kandidati kryesor në mesin e demokratëve, por ai po përballet me sfida gjithnjë e më të forta nga dy senatorë: Kamala Harris e Kalifornisë dhe Elizabeth Warren e shtetit Massachusets. Në vazhdim ju njohim me garën e demokratëve.

    Aktivisti liberal, miliarderi Tom Steyer e shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij përmes një videoje:

    “Nëse mendoni se ka diçka që meriton vërtet të kritikohet, përpiquni sa të mundeni, por mos u shqetësoni, lereni ngjarjen të rrjedhë natyrshëm. Pikërisht këtë po bëj unë. Emri im është Tom Steyer dhe kandidoj për president. “

    Zoti Steyer ka mbështetur prej kohësh idenë që Presidenti Donald Trump t’i nënshtrohet procesit që mund të sjellë shkarkimin e tij, një çështje për të cilën demokratët e Kongresit, vazhdojnë të jenë të përçarë.

    Por ndërsa zoti Steyer hyri në garë, kongresmeni i Kalifornisë Eric Swalwell u bë i pari që largohet zyrtarisht nga grupi i demokratëve në garën presidenciale.

    “Është një grup njerëzish të talentuar dhe kjo ishte një nga sfidat për ne. Kjo është një garë shumë e vështirë dhe ka për t’u ndërlikuar edhe më tepër, prandaj unë pres me kënaqësi t’i ndjek debatet nga pozita e një qytetari të zakonshëm.”

    Swalwell mori pjesë në debatin e parë të transmetuar në rrjetin NBC dhe sulmoi ashpër kandidatin që kryeson garën e demokratëve, Joe Biden.

    Biden vazhdon të udhëheqë garën e demokratëve, megjithëse pati momente të vështira në debatin e parë.

    Ish zëvendëspresidenti tani po përpiqet të shmangë sfida të forta nga senatorja e Kalifornisë Kamala Harris dhe senatorja e Massachusettsit Elizabeth Warren, të cilët të dyja patën një rritje në sondazhe pas debatit.

    Largimi i zotit Swalwell nga gara është një shenjë që ka filluar procesi i eliminimeve në fushën e Demokratëve, thotë analisti Jim Kessler.

    “Unë mendoj se jemi në pikën ku kemi tetë deri në dhjetë kandidatë, të cilët kanë shanse ta fitojnë emërimin. Në këto debate kemi parë disa prej kandidatëve me më pak mbështetje dhe që vazhdojnë të jenë të tillë. Ndoshta është momenti të ata të largohen…”- thotë analisti Kessler.

    Demokratët nuk e fillojnë procesin e votimit për të zgjedhur kandidatin e tyre deri në zgjedhjet paraprake të Iowa-s në shkurt.

    Kjo është një kohë e mjaftueshme që pretendentët të gjejnë difektet e njëri-tjetrit dhe të mbjellin ndarje brenda partisë, thotë analisti Larry Sabato.

    “A do të jenë ata të gatshëm të mbështesin një kandidat të vetëm në mesin e 20 kandidatëve, i cili do të marrë emërimin e partisë kur kandidati i tyre të humbasë? Kjo është një provë e madhe për një parti kurdo qoftë dhe përgjigja asnjëherë nuk mund të dihet kaq herët ” – thotë analisti Sabato.

    Demokratët e kanë debatin e tyre të ardhshëm në Detroit në fund të këtij muaji. /VoA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!