Bideni nominon gjyqtarin e parë federal mysliman në historinë e SHBA-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nominuar gjyqtarin e parë federal mysliman në historinë e vendit, për të qenë në krye të Gjykatës së Qarkut në New Jersey.


Nëse zgjedhja e tij konfirmohet nga Senati, Zahid Quraishi do të bëhet myslimani i parë që mban atë pozitë në New Jersey.

Bideni ka nominuar 11 kandidatë gjithsej dhe ndër to janë edhe tri gra zezake, ku njëra është nominuar si gjykatëse federale në qarkun e Marylandit, çka do të bënte të ishte gruaja e parë zezake atje në këtë pozitë.

Quraishi është me origjinë pakistaneze dhe ka qenë myslimani i parë që shërbeu si ndihmës gjykatës në New Jersey nga 2008 deri më 2013, thuhet në komunikatën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ka lindur në New York dhe është rritur në New Jersey. Quraishi u diplomua në kolegjin John Jay për të drejtën penale në vitin 1997 dhe mori doktoratën nga Fakulteti Juridik “Rutgers” në vitin 2000.