×
  • Lajme
  • Botë

    Bilanci i viktimave në rritje, vazhdojnë luftimet në Karabak

    Reporteri
    29 Tetor 2020 | 15:23

    Azerbajxhani dhe Armenia vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për luftimet në lartësirën e Karabakut dhe për bilancin e viktimave që sa vjen e rritet.


    Të paktën 21 civilë mbetën të vrarë të mërkurën dhe dhjetëra të tjerë të plagosur afër qytetit azer të Bardës në afërsi me zonën e konfliktit.

    Pala azere tha se forcat armene përdorën municion të rëndë dhe shënjestruan qëllimisht civilët për të dytën ditë me radhë, duke lënë pas skena të ngjashme me gjakderdhjet në Siri apo Libi.

    Ushtria armene mohoi akuzën për sulme ndërsa shtoi se forcat kundërshtare realizuan një sërë goditjesh me predha mbi zonat e banuara të Nagorno-Karabakut.

    Kryeministri armen tha se tashmë përgjatë kufirit armen po patrullojnë edhe trupat ruse, ndërsa pretendohet se batalionet azere janë përforcuar me trupa nga Turqia.

    Sulmet respektive vijnë disa ditë pasi palët hoqën sërish dorë nga një marrëveshje e tretë për armëpushim, e dakordësuar në Uashington, pasi dy të parat në Moskë u shkelën menjëherë.

    Kryediplomatët e dy vendeve kanë planifikuar të enjten një takim të ri në qytetin zviceran të Gjenevës për të ridiskutuar armëpushimin me ndërmjetësinë e SHBA-së, Rusisë dhe Francës.

    Përleshjet në rajonin separatist të Karabakut të Sipërm u rindezën më 27 shtator dhe në këtë periudhë njëmujore i kanë shkaktuar palës armene jetën e mbi 1.100 ushtarëve.

    Azerbajxhani nuk i ka publikuar dëmet e veta por Rusia mendon se bilanci i të vrarëve për të dyja vendet shkon rreth 5 mijë gjithsej.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!