×
  • Lajme
  • Botë

    Blerim Reka: Mungesa a perspektivës e ka zbrazur për një çerek popullatën

    Reporteri
    13 Prill 2019 | 22:14

    Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Blerim Reka, ka vazhduar fushatën e tij në Gostivar.


    Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ai ka thënë se fushata e tij qëndron kundër shtetit privat e të kapur.

    Sipas Rekës, shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e të gjithë qytetarëve.

    “Republika nuk njeh demokracinë e dozuar për ‘kombet statistikore’, të cilëve u lejohen aq të drejta sa për qind janë. Në Republikë, nuk ka ‘dhënie’ të drejtash, sepse ato janë të drejta natyrore si shtetas të këtij shteti, e jo nga diskrecioni i pushtetit që vendos se: kujt, kur, e sa të drejta do t’i lejohen”, ka thënë ai.

    Sipas tij, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do të sjellë investime të huaja dhe do të ndalojë ikjen e të rinjve.

    “Përderisa BE-ja ofron vlera, kurse NATO-ja siguri, kjo krijon një perspektivë të përgjithshme në vend, i tërheq investitorët e huaj që të vijnë brenda dhe parandalon qytetarët që të ikin jashtë”, ka shtuar ai.

    Reka thotë se mungesa a perspektivës e ka zbrazur për një çerek popullatën e vendit, kurse sipas tij, paralajmërimet janë që deri në 2030-ën mund të ik edhe çereku tjetër i popullsisë.

    Ai thotë se mungesën e perspektivës nuk e sjell vetëm papunësia, por edhe lodhja e qytetarit nga nepotizmi dhe korrupsioni si dhe nga mungesa e sundimit të ligjit dhe nga gjyqësori i politizuar.

    Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka thënë se Reka është kandidati më i mirë që mund ta bëjë Maqedoninë e Veriut, Republikë evropiane.

    “Nëse ata duan një Republikë Evropiane, këtë më së miri di ta bëj Blerim Reka dhe iu them se edhe maqedonasit duhet ta votojnë konceptin e Blerim Rekës”, deklaroi ai.

    Kreu i Aleancës së Shqiptarëve, Ziadin Sela ka vlerësuar se çdo votë nga shqiptarët është fitore e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!