Dalin detaje të reja për 20 vjeçaren që u vra nga burri në Greqi

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik në Greqi, por edhe anembanë botës, ku piloti Babis Anagnostopoulos vrau bashkëshorten e tij 20 vjeçare Caroline Crouch dhe për ditë të tëra deklaroi se ishte një vrasje nga persona të tjerë, derisa sa pranoi autorësinë e krimit pas presionit të policisë dhe provave të pakundërshtueshme.


Të dhëna tronditëse dalin nga ditari i të resë që tregon se donte të ndahej nga bashkëshorti i saj dhe të largohej së bashku me vajzën e saj të vogël.

33 vjeçari Babis Anagnostopoulos, pranoi se e vrau bashkëshorten e tij Caroline dhe më pas sajoi një grabitje, pasi ajo e kishte kërcënuar se donte divorcin.

Pasi e mbyti me jastëk, Babis shprehet se e kishte zënë paniku kur e kishte parë të vdekur dhe për këtë arsye, duke qenë e pamundur të zhdukte trupin kishte menduar të shpikte grabitjen e sajuar.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Babis tregon se 20-vjeçarja ishte shumë agresive dhe se hodhi foshnjën në krevat e më pas e goditi natën e vrasjes, gjë që e kishte bërë të dilte nga kontrolli.

Por ditari i Carolinës, i cili tashmë është në duart e policisë, krijon tablonë e një martese të palumtur dhe të dhunshme, ku ajo kishte dashur disa herë ta linte bashkëshortin.

Mes rreshtash shihen zënkat e dhunshme të përsëritura shpesh mes çiftit, ku disa herë ajo nënvizon se e ka goditur. Vajza e kishte çuar ndërmend të ndahej nga piloti i helikopterit që në vitin 2019, pasi nuk ndihej mirë në këtë marrëdhënie.

Për herë të parë, ajo i tha Babis se donte të largohej në korrik të 2020 së bashku me vajzën që në atë kohë ishte 1-muajshe dhe se kishte filluar të kërkonte për një shtëpi më vete.

Në nëntor të 2019, ndërsa Caroline ishte ende shtatzënë me vajzën që lindi në qershor shkruan në ditar rreshtat: U zura sërish me Babis. Kësaj here ishte serioze. Unë e godita dhe mallkova, ndërsa ai theu derën. Mendoj që ta le. Dua të shkoj te motra ime.  Nuk e di nëse mund të vazhdoj më me Babi. E dua shumë aq sa nuk mund ta le edhe pse kjo marrëdhënie po më lëndon.

Në korrik të 2020, britanikja shkruan, “Sot e vogla im bëri një muaj, është dhe dita kur i thashë Babit se dua ta le… Ndihem keq”.

Ajo tregon se kishte menduar të largohej përpara se të ishte shtatzënë dhe se kishte gjetur një shtëpi në Athinë, por më pas i ishte kthyer mendja pasi nuk donte që e vogla të rritej pa të dy prindërit.

Për javë me radhë efektivët e policisë kërkuan për një bandë imagjinare me shqiptarë që kishin hyrë, sipas Anagnostopoulos, në banesën e tyre në Greqi, për t’i grabitur.

Por pasi ekzaminoi telefonat e të dyve, policia arriti në përfundimin se 33-vjeçari po i gënjente. Një aplikacion për matjen e hapave, i instaluar në celularin e tij, tregonte që në minutat kur Babis pretendonte se ishte lidhur nga grabitësit dhe i ishin mbyllur edhe sytë, në fakt ishte duke lëvizur lartë e poshtë nëpër apartament.

Gjithashtu, ora biometrike që Caroline mbante tregonte se zemra e saj kishte pushuar së rrahuri disa orë përpara periudhës kur bashkëshorti i saj pretendonte se kishte ndodhur grabitja. Për më tepër, ai ishte përpjekur edhe të fshinte një pjesë të pamjeve të kapura nga kamera e sigurisë e instaluar në banesë.