Danimarka heq të gjitha kufizimet falë vaksinimit

Vaksinimi i më shumë se 80 për qind të personave mbi 12-vjeç ka mundësuar që Danimarka të heq gjitha kufizimet për përhapjen e koronavirusit.


Masat ishin në fuqi plot 548 ditë.

Ky është njëri ndër vendet e para në Bashkimin Evropian që heq gjitha masat e kufizimit.

Në klubet e natës, nga 10 shtatori nuk kërkohet më dëshmia e të qenurit i vaksinuar. Kjo ishte ndër masat e fundit që ishte në fuqi në këtë vend.

Që nga data 1 shtatori certifikata digjitale e vaksinimit nuk kërkohej më në asnjë vend, përveç klubeve të natës.

Që nga mesi i muajit gusht, mbajtja e maskës në transportit publik nuk është më e detyrueshme.

Megjithatë, autoritetet kanë vendosur që mbajtja e maskës të mbetet e detyrueshme në aeroportet e Danimarkës dhe njerëzit janë këshilluar që ta mbajnë atë kur shkojnë për vizitë te mjeku, në qëndrat e testimit apo spitale.

Në kufijtë e këtij vendi ende zbatohen rregulla të rrepta për shtetasit jo-danezë që synojnë të hyjnë në këtë vend.