×
  • Lajme
  • Botë

    Donatorët ofrojnë 253 milionë euro si ndihmë urgjente për Libanin

    Reporteri
    10 Gusht 2020 | 10:28

    Presidenca e Francës ka njoftuar se në konferencën emergjente të donatorëve, të organizuar të dielën për përkrahje të Libanit pas shpërthimit shkatërrues në Bejrut, janë premtuar rreth 253 milionë euro.


    Zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se këto mjete nuk do të kushtëzohen me reforma politike ose institucionale. Në konferencë u dhanë premtime edhe për përkrahje afatgjate, e cila do të varet nga ndryshimet që bëhen nga autoritetet.

    Fuqitë botërore premtuan se nuk do ta lënë në baltë popullin e Libanit në kohën kur Bejruti po mundohet të rimëkëmbet nga shpërthimi masiv, në të cilin mbetën të vrarë 158 persona. Libani edhe më herët ishte në gjendje të rëndë për shkak të krizës politike dhe financiare, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

    Megjithatë, shtetet e huaja kërkuan transparencë për mënyrën se si do të shfrytëzohet kjo ndihmë për shkak të përshtypjes së përgjithshme për korrupsionin që ekziston në qeverinë e këtij shteti. Disa janë të shqetësuar edhe për ndikimin e Iranit përmes grupit Hezbollah.

    Organizatori i konferencës së donatorëve, presidenti Emmanuel Macron, u bëri thirrje shteteve pjesëmarrëse që t’i lënë anash dallimet dhe ta përkrahin popullin e Libanit. Ai shtoi se ndihmat ndërkombëtare duhet të jenë të koordinuara nga Kombet e Bashkuara.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha gjatë kësaj konference se vendi i tij është i gatshëm t’i vazhdojë ndihmat për Libanin, njoftoi Shtëpia e Bardhë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!