×
  • Lajme
  • Botë

    E paqartë nëse administrata Biden do të ndajë sekretet me Trump

    Reporteri
    17 Janar 2021 | 23:45

    Presidenti i zgjedhur, Joe Biden do të presë për rekomandime nga këshilltarët për zbulimin për të ndarë apo jo informata sekrete me Presidentin Donald Trump pasi të mbarojë mandati i tij, tha një këshilltar i lartë i Biden të dielën.


    Ron Klain, shefi i ardhshëm i personelit të Shtëpisë së Bardhë, i bëri komentet pasi ish-zëvendës drejtorja për zbulimin kombëtar, Sue Gordon jepte në një artikull opinion argumente kundër ndarjes së këtij informacioni me Trump pasi t’i mbaronte mandati.

    “Me këtë akt të thjeshtë – i cili është në dorë të presidentit të ri – Joe Biden mund të pengojë një ndër rreziqet e mundshme ndaj sigurisë kombëtare që paraqet Donald Trumpi si qytetar i thjeshtë,” tha Gordon në artikullin e gazetës Washington Post me titull “Ish-presidenti Trump nuk ka nevojë ta dijë”, ku shtonte “Ndërprisjani raportet e zbulimit”.

    I pyetur lidhur me rekomandimet e zonjës Gordon, zoti Klein tha në intervistë me rrjetin CNN se zoti Biden do të dëgjojë këshillat e zyrtarëve të tij të zbulimit para se të marrë vendim, raporton voa. “Pa dyshim që në administratën Biden do të kërkojmë rekomandimet e profesionistëve të zbulimit dhe do të veprojmë bazuar në këto rekomandime,” tha ai.

    Gordon, e cila dha dorëheqjen në vitin 2009, tha se çdo ish-president ishte në shënjestër të shërbimeve të huaja të zbulimit duke shtuar se Trump “mund të jetë veçanërisht i prekshëm nga aktorë të këqinj me synime keqdashëse,” shkruante ajo duke përmendur interesat e tij të biznesit jashtë vendit.

    “Nuk është e qartë nëse ai e kupton seriozitetin e kësaj përgjegjësie, arsyet përse njohuritë që ka siguruar si president duhen mbrojtur që të mos dalin dhe të mos ekspozohen ndaj synimeve të kundërshtarëve tanë,” shtoi ajo.

    Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, demokrati Adam Schiff u shpreh më haptazi në një intervistë me rrjetin CBS: “Nuk mendoj se mund t’ia besosh atë informacion”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!