×
  • Lajme
  • Botë

    E tmerrshme: 20 mijë fëmijë në këtë liqen punojnë si skllevër

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 14:55

    Sapo zbardh dita, nisen për në punë. Adami drejton një grup prej pesë fëmijësh të cilët ecin drejt bregut të liqenit Volta në Ganë. Pjesën më të madhe të ditës së tij do ta kalojë duke peshkuar nën diellin që përvëlon. Vijnë nga qytete të ndryshme, kanë moshë të ndryshme, por kanë një gjë të përbashkët – secili prej tyre është blerë nga një peshkatar për të cilin punojnë si skllevër, transmeton Reporteri.net 


    “Sapo zgjohemi, shkojmë në liqen. Pas kësaj kthehemi, përgatisim rrjetat, nxjerrim peshqit dhe kthehemi sërish rreth orës 14:00”, thotë Adami.

    Ai nuk e di moshën e tij, por me sa duket sapo ka mbushur 12 vjet. Supozohet se për Samuelin, të cilin e thërret “mjeshtër”, punon tash e tri vjet.

    “Nuk dëshiroj të jem këtu, por jam i detyruar. Do të dëshiroja të shkoj në shkollë, por më detyrojnë që të jem këtu”, shprehet ai.

    Adami është një nga 20 mijë fëmijët që në brigjet e këtij liqeni, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Punë, punojnë për “zotërinjtë e skllevërve”. Shumica prej këtyre fëmijëve vijnë nga qindra kilometra larg. Tregtarët i blejnë ata nga prindërit e tyre, të cilët i shesin për vetëm  250 dollarë , gjë që është një pasuri e vërtetë në atë zonë, aq sa mjafton për të blerë një lopë, shkruan CNN.

    Midis punëtorëve ishte edhe një djalë i cili, në  kohën kur gazetarët folën me të, nuk kishte ngrënë ushqim për 24 orë.

    Sa u përket rreziqeve që puna në liqen u sjell fëmijëve, Samueli të cilin ata e thërrasin “mjeshtër” thotë: “Të gjithë e dimë se puna në liqen është shumë e rrezikshme dhe çdo gjë mund të ndodhë, por nëse nuk hedhni rrjetën, atëherë nuk do të jeni në gjendje të kapni peshkun. Duhet të gjeni një mënyrë për të mbijetuar. Nëse një fëmijë vdes ndërsa punon në liqen, unë ulem me prindërit e tij dhe flasim”, thekson ai.

    Në Ganë mosha në të cilën një fëmijë lejohet të punojë është 15 vjet, gjë që nuk kontrollohet ose ndëshkohet. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!