×
  • Lajme
  • Botë

    Edhe ky shtet i SHBA-së ndalon me ligj abortin

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 16:01

    Senati i shtetit të Alabamas në Shtetet e Bashkuara, i cili mbizotërohet nga senatorët republikanë, e ka miratuar ligjin për ndalimin e abortit, duke e cilësuar këtë veprim si krim, pavarësisht fazës së shtatzënisë në të cilën kryhet ai.


    Kjo ndalesë për abortin është kufizimi më i rreptë në Shtetet e Bashkuara dhe lejon përjashtime vetëm në rastet kur shëndeti i gruas shtatzënë është në rrezik serioz.

    Masat përfshijnë refuzimin e abortit edhe për rastet e dhunës seksuale dhe incestit. Ligji tash do të dërgohet në zyrën e guvernatores republikane të Alabamas, Kay Ivey, e cila është kundër abortit. Pritet që ajo ta nënshkruaj këtë ligj pa e kundërshtuar atë, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.

    Grupet për të drejta civile janë zotuar se menjëherë do të ndërmarrin masa ligjore kundër kësaj ndalese, që do të thotë se aborti do të mbetet veprim i lejuar me ligj tash për tash.

    Legjislacioni i Alabamas, i cili u miratua me 25 vota për dhe 6 vota kundër, e bën abortin krim të shkallës së parë për mjekët që e kryejnë atë dhe kjo vepër mund të dënohet me 10 deri 99 vjet burgim.

    Përpos Alabamas, edhe shteti i Xhorxhias e ka miratuar ndalesën për abort për rastet që e kanë kaluar javën e gjashtë të shtatzënisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!