×
  • Lajme
  • Botë

    Fitorja e Johnson, çfarë e pret Britaninë

    Reporteri
    13 Dhjetor 2019 | 9:04

    Partia Konservatore e Boris Johnson, kryeministri i Britanisë së Madhe, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Britaninë e Madhe.


    Figura e tij sa karizmatike aq edhe komplekse, pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në politikën angleze.

    Johnson e përqendroi fushatën e tij në parullën “Ta përmbyllim Brexit-in”. Ai deklaronte se një shumicë parlamentare për Partinë e tij Konservatore, do t’i mundësonte ta çojë përpara një marrëveshje të refuzuar më parë për ndarjen nga BE-ja dhe ta përmbyllë Brexit-in deri më 31 janar.

    Gjatë fushatës, konservatorët kanë vënë theksin te shtetëzimi i shërbimeve bazë, pagat më të larta në shtet, shpenzimet në infrastrukturë dhe shëndetësi, apo ndryshimeve klimatike.

    Prioritete të tjera të theksuara kanë qenë rritja e pragut të sigurimeve shoqërore, ulja e taksave për shtresat me të ardhura të pakta, rritja e buxheteve të mbrojtjes, diplomacisë, shëndetësisë dhe arsimit, përmirësimi i shërbimeve celulare në zonat rurale dhe prezantimi i një sistemi të pikëzuar për emigrantët, që rrit kontributet e tyre për shërbimin shëndetësor.

    Por, a do mundet ai, me gjithë qasjen e tij pro emigrantëve, të bëjë një revolucion në politikat britanike të emigracionit?

    Kur ishte në postin e ministrit të Jashtëm, Boris Johnson sugjeroi një amnisti për dhjetëra mijëra emigrantë të paligjshëm që jetonin në Britani.

    Më saktë, kreu i konservatorëve mbronte idenë e një amnistie për të gjithë ata që kanë jetuar në Angli për 15 vjet, dhe gjatë kësaj kohe nuk kanë kryer asnjë shkelje të ligjit.

    “Unë mendoj se nëse njerëzit kanë qenë këtu për një kohë shumë të gjatë, nuk e kanë shkelur ligjin dhe kanë luajtur sipas rregullave, gjithçka që unë do të them është që ne duhet ta rishikojmë ligjin e emigracionit”, theksonte Johnson gjatë një interviste për ITV News.

    Këto deklarata të kryeministrit të ri britanik shkaktuan polemika mes qarqeve anti-emigracion, pasi sipas tyre, kjo do të shkaktonte një dyndje emigrantësh në Britaninë e Madhe.

    Ai ju rikthye sërish kësaj ideje në qershor të vitit 2016, gjatë fushatës për referendumin e daljes së Britanisë nga BE, ku ai e përshkruante veten si ‘pro emigrant’, duke thënë se mbronte idenë e një amnistie për ata që kishin jetuar 12 vjet në Britani.

    Pastaj, në kulmin e skandalit Windrush në prill të vitit 2018, Johnson pati një problem me kryeministren Theresa May për këtë çështje, dhe kërkoi një amnisti për emigrantët që jetonin në Britani prej dhjetë vjetësh, me kusht që ata të ishin pastër.

    Pra, Johnson duket i vendosur që në një mënyrë ose një tjetër ta realizojë idenë e tij, për legalizimin e mijëra emigrantë që punojnë ‘në të zezë’ në Britaninë e Madhe.

    Po ashtu, ka premtuar se do të përqendrohet në zvogëlimin e emigrantëve të pakualifikuar dhe do të ofrojë hapësirë për punëtorët e kualifikuar, për të cilët ka nevojë tregu i punës në vendin ishullor.

    “Nuk kam qëndrim armiqësor nda emigrimit. Unë besoj se njerëzit duhet të lejohen që të vijnë në këtë vend dhe mendoj se nëse janë të talentuar dhe nëse dëshirojnë ta ndërtojnë jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, kjo është e mrekullueshme”, tha ai .

    A pritet të sjellë ai me këtë një ndryshim të madh në politikat e emigracionit në Britaninë e Madhe?

    Propozimet që ai ka bërë për dhënien e amnistive ndaj emigrantëve të paligjshëm, nuk duket të jenë shumë të ndryshme nga dispozitat aktuale të qëndrimit të gjatë në Rregullat e Emigracionit.

    Periudhat e qëndrimit janë në varësi të moshës:

    Nën 18 vjeç – 7 vjet

    18 deri në 24 – gjysmën e viteve të moshës aktuale

    25 vjeç e lart – 20 vjet

    Ata që e përsërisin një vepër penale ose janë një dënim që zgjat minimumi 12 muaj, u ndalohet amnistia sipas “kërkesave të përshtatshmërisë”. Kandidatët e suksesshëm marrin një leje të rinovueshme që zgjat dy vjet e gjysmë. Pas dhjetë vjet qëndrimi të ligjshëm, ata kualifikohen për një lejeqendrim të përhershëm.

    Fëmijët e lindur në Mbretërinë e Bashkuar kualifikohen për nënshtetësi të menjëhershme britanike nëse jetojnë atje për dhjetë vitet e para të jetës së tyre.

    Boris Johnson mori detyrën e kryeministrit pasi pararendësja e tij, Theresa May, dështoi të në përpjekjet e saj të përsëritura që të sigurojë miratimin e parlamentit për një marrëveshje që kishte arritur me BE-në. May u përpoq të forcojë pozicionin e saj negociues për Brexit-in duke organizuar zgjedhje të parakohshme, por partia e saj vetëm sa humbi disa vende në parlament.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!