×
  • Lajme
  • Botë

    Franca njofton se kanë vrarë udhëheqësin e AQIM

    Reporteri
    06 Qershor 2020 | 16:16

    Autoritetet franceze thonë se kanë vrarë udhëheqësin e Al-Kaidës në Maghrebin Islamik, Abdelmalek Droukdel, në Malin verior.


    Nëse konfirmohet, kjo do të përfaqësonte një fitore të madhe në luftën kundër terrorizmit në rajonin Sahel. Al-Kaeda në Maghrebin Islamik, ose AQIM, është një organizatë militante islamike që synon të rrëzojë qeverinë algjeriane e të krijojë një shtet islamik.

    Abdelmalek Droukdel dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij besohet se janë vrarë në 3 qershor nga forcat franceze me mbështetjen e partnerëve të tyre. Në disa postime ne twiiter, ministri Francez i Mbrojtjes Florence Parly tha se operacioni i zhvillua në Malin e veriut pranë kufirit algjerian, ku grupet ekstremiste janë aktive.

    Udhëheqësi xhihadist ishte përgjegjës për Al-Kaidën në operacionet e Maghrebit islamik në Sahel. AQIM nuk e ka konfirmuar ende vdekjen e Droukdel. Komanda amerikane e Afrikës konfirmoi se kishte dhënë ndihmë në gjurmimin e Droukdel me informacione zbulimi e mbështetje sipas kolonelit Chris Karns. “Ky mision është një fitore kolektive” shtoi zyrtari amerikan.

    Kombet e Bashkuara thonë se Droukdel ishte një ekspert i eksplozivëve dhe se kishte prodhuar pajisje që ishin përdorur për të vrarë me qindra civilë në sulme në vende publike. Në vitin 2013 autoritetet alegjeriane e dënuan atë me vdekje për përfshirjen e tij në hedhjen në erë të një ndërtese qeveritare dhe zyrave të Komitetit të Refugjatëve të OKB-së në Algjeri, ku u vranë 26 persona dhe u plagosën 177 të tjerë, raporton VOA.

    AQIM u formua nga një grupim i islamistëve radikalë algjerianë, që e ka zanafillën në fund të viteve 1990, të cilët në vitin 2007 i premtuan besnikëri rrjetit Al-Kaida të Osama bin Ladenit.

    Grupimi ka marrë përgjegjësinë për një varg sulmesh ndaj trupave ushtarake e civilëve në të gjithë Sahel-un, përfshirë dhe sulmin në 2016 në një hotel e restorant në Burkina Faso ku u vranë 30 vetë, kryesisht shtetas perëndimorë.

    Franca njoftoi gjithashtu të premten se kishte kapur një udhëheqës të Shtetit Islamik në Saharanë e Madhe (EIGS), që drejton një grupim që ka kryer sulme të shpeshta përtej kufijve perëndimorë të Nigerit.  /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!