×
  • Lajme
  • Botë

    Gati 100 milionë të vaksinuar kundër coronavirusit në SHBA

    Reporteri
    02 Prill 2021 | 13:39

    Numri i njerëzve të vaksinuar kundër coronavirusit në Shtetet e Bashkuara po i afrohet 100-milionëshit.


    Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA thanë se mbi 99.6 milionë njerëz, apo 30 për qind e popullsisë amerikane, e kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.

    Sipas tyre, rreth 56 milionë njerëz e kanë përfunduar komplet vaksinimin.

    Kur presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën më 20 janar, ai ka vendosur si qëllim dhënien e 100 milionë vaksinave në 100 ditët e para në zyrë.

    Synimi i ri është dhënia e 200 milionë dozave.

    Dy vaksina që përdoren në SHBA, Pfizer/BioNTech dhe Moderna, jepen me nga dy doza, ndërsa Johnson&Johnson me një.

    Numri i të infektuarve me coronavirus është përsëri në rritje në SHBA, por larg niveleve të para në janar.

    Mesatarja shtatëditore e rasteve është rritur në rreth 66,000, apo rreth 15 për qind më shumë se periudha e mëparshme shtatëditore.

    Numri i viktimave është mesatarisht 900 në ditë – shumë më poshtë se gjatë disa periudhave të kulmit pandemik në SHBA, kur ka qenë 3,000 në ditë.

    Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga coronavirusi.

    Mbi 30 milionë njerëz atje janë infektuar dhe mbi 553,000 kanë vdekur.

    Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, coronavirusi ka prekur afro 130 milionë njerëz në të gjithë botën.

    Prej tyre, mbi 2.8 milionë kanë vdekur dhe mbi 73 milionë janë shëruar.

    Coronavirusi është shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në mars të vitit 2020. /REL/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!