×
  • Lajme
  • Botë

    I sulmuar në shtëpi, Trumpi i izoluar edhe në botë

    Reporteri
    07 Qershor 2020 | 8:04

    Teksa qytetet amerikane po digjen e koronavirusi po bën kërdinë, duke e shkaktuar vdekjen e më shumë njerëzve se në cilindo shtet tjetër, presidenti Donald Trump ka njëkohësisht probleme të shumta edhe përtej. Ai kurrë më parë nuk ka qenë kaq i izoluar dhe i anashkaluar, e madje tallur.


    Në Evropë, pas vitesh të tëra shpërfilljeje dhe unilateralizmi amerikan, aleatët tradicionalë të Amerikës kanë ndaluar së kthyeri sytë kah ai në kërkim të udhëheqjes, duke mos besuar më se ky president ka për t’u ofruar ndonjë gjë – dhe tani madje po ia kthejnë edhe shpinën.

    Këtë gjë e dëshmon më së miri vendimi i kësaj jave i kancelares gjermane, Angela Merkel, për të mos marrë pjesë në takimit e G7-s që Trumpi e kërkonte aq fort në Washington, për të treguar se virusi ishte prapa tij dhe bota i është kthyer normales.

    Merkeli e përmendi kërcënimin akoma të paeliminuar të virusit, por një zyrtar i lartë gjerman që foli nën kushtin e anonimitetit bëri të qartë se ajo kishte arsye për të refuzuar: Ajo beson se përgatitjet e duhura diplomatike nuk janë bërë; nuk dëshiron që të bëhet pjesë e shfaqjes anti-Kinë; e kundërshton idenë e Trumpit për ta ftuar presidentin rus Vladimir Putin; nuk dëshiron të shihet si interferuese në politikat e brendshme amerikane.

    Dhe ishte e shokuar nga vendimi i papritur dhe i njëanshëm i Trumpit për t’u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Izolimi

    Ndasia midis Trumpit dhe aleatëve evropianë është thelluar edhe para se qytetet amerikane të mbërtheheshin nga protestat. Ama kaosi i rrugëve amerikane, shikuar nga jashtë, vetëm sa e ka fuqizuar ndjenjën se konfliktet që Trumpi ka mbjellë tanimë e kanë kapur vetë atë.

    Derisa Trumpi kërcënoi ta thërrasë ushtrinë kundër qytetarëve të tij, ai është shndërruar në një president që disa prej aleatëve më të afërt të Amerikës parapëlqejnë ta mbajnë sa më larg armëve, të pasigurt se çfarë do të bëjë ai më pas dhe të pavullnetshëm për t’u tërhequr përbrenda fushatës së tij për rizgjedhje.

    “Liderët në shtetet aleate tani mendojnë se qortimi i Trumpit është në avantazhin e tyre”, ka thënë Marietje Schaake, ish-ligjvënës holandez i Evropës, sidomos tani që trazirat në qytetet amerikane dhe demonstratat mbështetëse të këtyre protestave janë përhapur në qytetet evropiane, përfshirë Amsterdamin.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!