Joker ‘në krye’ të protestave masive në Kili, presidenti shkarkon ministrat

Për më shumë se një javë vijojnë protestat masive në Kili, të cilat kulmuan të premten me rreth 1 milion qytetarë që protestuan në kryeqytetin Santiago.


Të paktën 19 vetë kanë humbur jetën e qindra të tjerë janë plagosur gjatë një jave protestash, që e morën shtysën nga rritja e çmimit të biletës së metrosë, për t’u shndërruar më pas në një demonstrim masiv të pakënaqësisë me pabarazinë e thellë që ka mbërthyer njërin prej vendeve më të pasura të Amerikës Latine.

Protestuesit kërkojnë me çdo kusht dorëheqjen e presidentit Sebastian Pinera, por ky i fundit ka vendosur që të shkarkojë vetëm ministrat, por jo të largohet vetë nga posti.

E megjithatë, ajo që bie në sy është se figura qëndrore e këtyre protestave është Jokeri, personazhi i luajtur nga Joaquin Phoenix në filmin me të njëjtin titull.

Filmi Joker flet për një klloun të margjinalizuar që kryen një seri vrasjesh të njerëzve me pushtet dhe që vijnë nga klasa e të pasurve. Këto vrasje më pas shkaktojnë trazira në vend, me qytetarët që ndihen të shkelur dhe të pamundur, kundër klasës së pasur të shoqërisë.

Me gati 800 milionë dollarë të mbledhur nga shitja e biletave në mbarë botën, Joker, filmi i ndaluar për minorenët, praktikisht ka thyer rekordet. Jokeri deri tani në SHBA, ka mbledhur mbi 260 millionë dollarë.

Është ky personazh që po përdoret nga mijëra të rinj protestues në Kili. Ata shfaqen shpesh të vizatuar në fytyrë me pamjen e Jokerit, apo figurën e tij e kanë vendosur në pankarta.

Pamja e Joker u shfaq edhe në protestat e fundit antiqeveritare të zhvilluara në Liban, shtet në Lindjen e Mesme./tch