×
  • Lajme
  • Botë

    Kandidatët për president të Ukrainës i nënshtrohen testit të drogës

    Reporteri
    06 Prill 2019 | 0:01

    Kandidatët presidencialë në Ukrainë i janë nënshtruar testit për drogë, ndërsa zgjedhjet në vend gjithnjë e më shumë po i ngjasojnë një cirku politik, në javët e fundit të fushatës.


    Të ndjekur nga qindra gazetarë, presidenti aktual Petro Poroshenko dhe pretendenti kryesor, Volodimir Zelenski, dhanë kampionët e gjakut në klinikat e Kievit, të premten.

    Testet e zhvilluara nën objektivët e kamerave, pasojnë një kërkesë të sfidantit për të dy ata që të provojnë para një debati të planifikuar televiziv, se nuk janë përdorues droge apo alkooli.

    Poroshenko, që u rendit pas Zelenskit në raundin e parë, u tregua i gatshëm të përballet me kundërshtarin në një debat, që sipas tij mund të bindë zgjedhësit t’i japin një mandat të dytë.

    Ndaj, kur ekipi i Zelenskit publikoi një video të shkurtër të enjten, ku sfidohej presidenti për një debat në stadiumin olimpik, presidenti në detyrë pranoi të gjitha kushtet, përfshirë edhe testin e drogës.

    Dhe përveç kampionëve të gjakut, Poroshenko dha edhe kampionë urine dhe feçeje, të premten. Zelenski, një producent i suksesshëm mediash dhe komedian, që rolin e presidentit e ka luajtur në një show televiziv, ka dhënë pak intervista para balotazhit të 21 prillit.

    Ai ka premtuar se do të publikojë platformën e tij politike para kësaj date dhe i ka kërkuar Poroshenkos të luftojë korrupsionin duke reformuar gjykatat, policinë dhe shërbimet e inteligjencës.

    Vetë Poroshenko e ka sulmuar rivalin për mungesën e tij të eksperiencës. “Të jesh president dhe kryekomandant, nuk është një lojë. Por nëse do një stadium, le të jetë një stadium”, tha ai duke iu përgjigjur kërkesës për debat.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!