×
  • Lajme
  • Botë

    “Kasapi i Srebrenicës” ende në gjykim, 25 vjet pas gjenocidit

    Reporteri
    11 Korrik 2020 | 17:49

    Gjenerali serb Ratko Mlladiq, arkitekti kryesor i gjenocidit të Srebrenicës, ende është pa vendimin final gjyqësor 25 vjet pas masakrës.


    Në korrik të vitit 1995, forcat serbe vranë më shumë se 8000 bura dhe djem në Srebrenicë brenda pak ditësh.

    Ngjarja e njohur si gjenocid nga dy gjykata ndërkombëtare, ndodhi në fund të luftës së viteve 1992-1995 në mes kroatëve, myslimanëve dhe serbëve të Bosnjës ku u vranë më shumë se 100,000 njerëz.

    Mlladiqit iu dha burgim i përjetshëm në vitin 2017 për gjenocid dhe krime tjera nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë (ICTY), por apeli ende nuk ka filluar.

    Familja e viktimave tani brengosen se gjenerali, tashmë i moshuar, mund të vdesë para se të përballet me drejtësinë deri në fund, shkruan “Al Jazeera”.

    Gjykimi i tij nxori detaje të rënda të vrasjeve, rrahjeve, përdhunimeve dhe tmerreve tjera, shumë prej të cilave i urdhëroi apo i kishte mbikëqyrur personalisht.

    Gjatë gjykimit, Mlladiq nuk tregoi aspak pendim, përkundrazi, edhe duke qenë i dobët nga shëndeti ai rrezatonte me arrogancën e njëjtë si gjatë luftës së viteve 1992-95.

    “Dua që armiqtë e mi, e që janë shumë, të vdesin sepse unë jam ende gjallë”, kishte thënë ai në hapjen e gjykimit para tetë vjetësh.

    Pas rënies së Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000 dhe presionit nga Perëndimi që Serbia t’i dorëzojë të akuzuarit për krime lufte, Mlladiq u fsheh dhe ishte në arrati deri më 26 maj 2011, transmeton KOHA.

    Ai u arrestua te shtëpia e kushërinjve në Lazarevë, veri të Serbisë.

    Pavarësisht akuzave të detajuara dhe të dokumentuara, e që po tregoheshin drejtpërdrejtë në televizione gjatë gjykimit, Mlladiq e ruajti statusin e heroit në Serbi, status të cilin ia kishte dhënë Millosheviqi gjatë luftërave të Jugosllavisë.

    Gjyqi përfundimisht e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm më 22 nëntor të vitit 2017. Edhe ai edhe prokuroria apeluan vendimin, kjo e fundit ngase Mlladiq ishte liruar nga disa akuza.

    Apeli, që tani drejtohet nga Mekanizmi për Tribunalet Ndërkombëtarë Kriminale, ngase ICTY u mbyll më 2017, është shtyrë dy herë nga data fillestare që ishte më 22 mars, dhe vendimi përfundimtar nuk pritet deri në vitin 2021.

    Tani, me raportimet se Mlladiq ka mbijetuar disa sulme dhe se po duket shumë i dobët, viktimat e tij brengosen se ai në fakt mund të vdesë para se të merret vendimi përfundimtar, dhe t’i lihet derë e hapur debatit nëse ka qenë apo jo fajtor.

    Kjo ka ndodhur edhe më parë, në rastin e Milloseviqit, që vdiq në vitin 2006 pak para se të merrej vendimi i gjykimit, dhe në fakt, ligjërisht vdiq si njeri i pafajshëm. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!