×
  • Lajme
  • Botë

    Macron dhe Putin takohen sot në Francë

    Reporteri
    19 Gusht 2019 | 10:58

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do ta presë sot në shtetin e vet homologun e tij rus, Vladimir Putin. Ata pritet të diskutojnë kryesisht për bisedimet e paqes mes forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.


    Macron, i cili ka zhvilluar bisedime me Putinin në Pallatin e Versajës, afër Parisit, në vitin 2017, kësaj radhe do të takohet me presidentin rus në një vend tjetër, në fshatin Bormes-les-Mimosas.

    Dy presidentët gjithashtu pritet të diskutojnë për tensionet lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe konfliktin në Siri.

    Takimi i tyre vjen pas kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ndaj presidentit rus për të ofruar ndihmë në zgjidhjen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës, ku luftimet mes forcave qeveritare dhe separatistëve i kanë shkaktuar më shumë se 13 mijë viktima nga prilli i vitit 2014.

    Zyrtari rus për politikë të jashtme, Yury Ushakov, tha se dialogu mes Moskës dhe Parisit është shpeshtuar në muajt e fundit dhe se vizita e Putinit në Francë është vazhdim logjik i kontakteve të tij me Macronin.

    Rusia e ka aneksuar rajonin e Krimesë në mars të vitit 2014. Pak kohë më pas, Moska filloi t’i përkrahë separatistët edhe në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, shkruan “Free Europe”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!