Macron kërkon reformimin e zonës “Shengen”

Presidenti francez, Emanuel Makron, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij të hershëm se zona Shengen duhet të reformohet dhe vendet që nuk e respektojnë atë, të largohen.


Në një konferencë maratonë për shtyp, kreu i Elizesë tha të enjten se marrëveshja e vitit 1985, nga e cila përfiton edhe Shqipëria, po keqpërdoret nga vendet që kërkojnë lëvizjen e lirë nëpër Evropë, por nuk bëjnë sa duhet për të përballuar krizën e emigrantëve me të cilën kontinenti po përballet prej vitesh.

“E famshmja zona Shengen nuk funksionon më. Duhet t’i rikonceptojmë nga fillimi politikat tona të emigracionit. Duhet të mendojmë për një Evropë me kufij të fortë dhe të mbrojtur, me të drejta të përbashkëta për azilkërkuesit, ku secili shtet anëtar mban përgjegjësi dhe është solidar me të tjerët,”-tha Makron.

Komentet e presidentit Makron vijnë pas pakënaqësive të shprehura nga publiku francez rreth problemit të emigracionit, temë e cila po shfrytëzohet edhe partitë e ekstremit të djathtë në vend.

Në mesazhin e tij përpara mbi 300 gazetarëve lokalë dhe të huaj, kreu i Elizesë parashtroi edhe një sërë nismash që përmbushin shumë nga kërkesat e protestuesve jelekverdhë të cilët prej gjashtë muajsh demonstrojnë dhunshëm kundër padrejtësive ekonomike.

Propozimet për taksa më të ulëta për klasën e mesme, riindeksimin e pensioneve nën 2 mijë euro sipas inflacionit, decentralizimin e qeverisjes, dhe fuqi më të madhe vendimmarrëse për qytetarët pritet të hyjnë në fuqi nga viti i ardhshëm.