×
  • Lajme
  • Botë

    Merkel në Aushvic: Ndjej turp të thellë përballë krimeve që u kryen këtu nga Gjermania

    Reporteri
    06 Dhjetor 2019 | 22:02

    Pas 14 vjetësh në detyrë, kancelarja ka vizituar kampin më famëkeq të përqendrimit të Gjermanisë naziste. Ndërsa ishte atje, ajo nënvizoi përgjegjësitë e vendit të saj.


    Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki qëndruan në heshtje përpara Murit të Vdekjes në Aushvic, në oborrin e vogël ku nazistët ekzekutuan mijëra polakë, shkruan DW, transmeton Telegrafi.

    Merkel falënderoi të gjithë ata që flasin për traumën që përjetuan: “Faleminderit për guximin dhe aftësinë tuaj të fuqishme për të falur”.

    “Unë ndjej turp të thellë përballë krimeve që u kryen këtu nga Gjermania”, tha ajo, duke shtuar më vonë se kujtimi i krimeve dhe pranimi i përgjegjësisë është një “pjesë e pandashme” e identitetit kombëtar të Gjermanisë.

    Gjermania ka “detyrim të mbrojë jetën hebreje”, vuri në dukje Merkel, duke shtuar se “antisemitizmi nuk do të tolerohet”.

    Ajo gjithashtu vizitoi Murin e Vdekjes në pjesën e Aushvicit, ku ushtarët SS pushkatuan mijëra vetë, shumica të burgosur polakë. Zona e ekzekutimit është një vend i rëndësishëm kombëtar për kujtesë.

    Kryeministri Morawiecki, duke folur përpara Merkel, gjithashtu nënvizoi detyrimin e vendit të tij për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për ta mbrojtur atë.

    Pas Helmut Schmidt (1977) dhe Helmut Kohl (1989 dhe 1995), Merkel u bë vetëm kancelarja e tretë gjermane që vizitoi Aushvicin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!