×
  • Lajme
  • Botë

    Merkeli mund të jetë kancelare edhe disa muaj pas zgjedhjeve, kjo është arsyeja

    Reporteri
    16 Shtator 2021 | 13:50

    Pas 16 vjetëve në pushtet, Kancelarja Angela Merkel nuk do të kërkojë mandat të ri në zgjedhje, por kjo nuk do të thotë se ajo do të largohet menjëherë nga pushteti.


    Gjasat e konsiderueshme për bisedime të zgjatura për formimin e koalicionit të ri pas zgjedhjeve nënkuptojnë që Merkel nuk do të largohet menjëherë nga zyra dhe ajo synon që ta shfrytëzojë plotësisht këtë periudhë pas zgjedhjeve, sidomos sa u përket nismave në politikën e jashtme, thonë zyrtarët qeveritarë.

    Sipas kushtetutës gjermane, Merkel do të mbetet kancelare derisa shumica e deputetëve ta zgjedhin pasardhësin ose pasardhësen e saj, i cili/e cila më pas do të betohet. Zyrtarisht nuk ka ndonjë kufizim të kompetencave për kancelaren gjatë kësaj periudhe, ndonëse paraardhësit e saj nuk kanë marrë ndonjë vendim drastik mes kohës së zgjedhjeve dhe votimit të qeverisë së re.

    “Ajo do të duhet të luajë një rol të rëndësishëm, sepse të gjithë në Berlin do të jenë të përfshirë në bisedimet për koalicion”, tha një figurë e njohur konservatore në Berlin, duke iu referuar bisedimeve për planet e BE-së për mbrojtjen e klimës, shkruan Reuters.

    Armin Laschet, pasardhësi i mundshëm i Merkelit në krye të qeverisë gjermane, dhe Robert Habeck nga Partia e Gjelbër presin që bisedimet për koalicion të zgjasin gjatë tërë pjesës së mbetur të këtij viti. Pas zgjedhjeve të shtatorit të vitit 2017, bisedimet kishin zgjatur deri në mars të vitit 2018.

    Ndarja më e barabartë e votave mes partive kryesore mund të ndikojë që bisedimet për formimin e qeverisë të jenë edhe më të ndërlikuara kësaj radhe, duke nënkuptuar që Merkel mund t’ia rrëmbejë rekordin Helmut Kohl-it si kancelarja me mandatin më të gjatë në historinë e pasluftës në Gjermani. Këtë rekord do ta shënonte, nëse qeveria e re nuk votohet para 17 dhjetorit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!