×
  • Lajme
  • Botë

    Miratohet vaksina “Johnson & Johnson”, SHBA shton një “armë” të tretë kundër Covid

    Reporteri
    28 Shkurt 2021 | 9:22

    SHBA-ja ka miratuar vaksinën e tretë për përdorim publik kundër koronavirusit.


    Vaksina “Johnson & Johnson” jepet me një dozë të vetme, kushton më pak sesa “Pfizer” apo “Moderna” dhe ka efikasitet të lartë në rastet më serioze.

    Amerika ka miratuar zyrtarisht përdorimin me urgjencë të vaksinës “Johnson & Johnson”.

    Kompania amerikane ka provuar se një dozë e vetme e saj mund të mbrojë deri në 85 për qind të pacientëve që janë të sëmurë rëndë me Covid 19.

    Provat klinike në SHBA, Afrikë dhe Brazil tregojnë se efikasiteti i saj arrin në 66 për qind kur merren parasysh format më të lehta të sëmundjes infektive.

    Agjencia amerikane për ushqimet dhe medikamentet tha se një dozë e vetme siguron mbrojtje të mirë, shmang shtrimet në spital dhe fatalitetet.

    Presidenti Joe Biden e përshëndeti lajmin për vaksinën e re, por apeloi qytetarët të mos gëzohen para kohe, pasi variantet e reja të virusit mund ta përkeqësojnë situatën, ndaj duhen respektuar udhëzimet për larjen e duarve, mbajtjen e maskave dhe distancimin social.

    Vaksina e re është zbuluar nga firma belge “Janssen”, dhe është e treta që SHBA-ja shton në arsenalin e vet kundër koronavirusit.

    Dozat e “Johnson & Johnson”-it mësohet se kushtojnë më pak sesa ato të “Pfizer”-it apo “Moderna”-s dhe ruhen në kushte frigoriferike normale nga 2 në 8 gradë Celsius, për 3 muaj.

    Deri në muajin qershor, shumëkombëshja amerikane pret të prodhojë 100 milionë doza.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!