×
  • Lajme
  • Botë

    Paneli i pavarur i dorëzon OBSH-së vlerësimet për pandeminë

    Reporteri
    19 Janar 2021 | 15:33

    Një panel i pavarur ekspertësh, i krijuar me kërkesë të disa vendeve anëtare të OBSH-së, tha të martën se komiteti për emergjencat i organizatës botërore u mblodh më 22 janar të vitit të shkuar kur vatrat e infeksionit kishin filluar të zgjeroheshin përtej Kinës.


    Ndërkohë gjendja e emergjencës globale u pranua më shumë se një javë më vonë, dhe vetëm më 11 mars 2020, u konfirmua edhe pandemia.

    “Është e qartë se Kina duhej t’i kishte aplikuar më rigorozisht masat për mbrojtjen e shëndetit publik nëpërmjet autoriteteve shëndetësore lokale dhe atyre kombëtare,” deklaroi grupi i ekspertëve të pavarur, i udhëhequr nga ish-kryeministra dhe ish-presidentë.

    Në dokumentin që prezantuan të martën para OBSH-së, paneli i pavarur tha se Kina dhe Organizata e Shëndetësisë patën rolin e tyre, por përgjegjësitë u takojnë edhe shteteve të veçanta që neglizhuan masat kufizuese megjithëse po e shihnin situatën serioze me Covid-19.

    Pekini nuk i pranoi kritikat duke thënë se bëri më të mirën me informacionet që kishte në atë kohë.

    “Si vendi i parë që dhamë alarmin për pandeminë, ne morëm masa të shpejta dhe vendimtare. Mendoj se për çështjet e shëndetit publik nuk ka kurrë përpjekje të përsosura, vetëm përpjekje të mira. Ne, SHBA-ja, Britania, Japonia dhe çdo vend mund të bëjë më mirë,” tha Hua Chunying, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme.

    Virusi i ri vdekjeprurës u zbulua në fundin e vitit 2019 në qytetin kinez të Wuhan, përpara se të shtrihej në gjithë planetin, duke vrarë mbi 2 milionë persona e duke goditur ekonominë globale.

    Në harkun e një viti, infeksioni ka prekur gati 100 milionë njerëz, por ekspertët pranojnë se bilanci botëror si i vdekjeve, edhe i të infektuarve, është më i lartë dhe i gabuar që prej fillimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!