×
  • Lajme
  • Botë

    Pas dridhjeve Merkel e ndryshon protokolin, thotë se duhet të ketë më shumë kujdes për shëndetin

    Reporteri
    11 Korrik 2019 | 18:44

    Gjendja shëndetësore e ka detyruar kancelaren gjermane, Angela Merkel, që të ndryshojë protokollin. Ajo ka qëndruar e ulur derisa janë intonuar himnet shtetërore të Gjermanisë dhe Danimarkës, gjatë një ceremonie të pritjes së kryeministres së Danimarkës në Berlin.


    Bashkë me Merkelin në karriga të bardha mbi qilimin e kuq, ishte ulur edhe kryeministrja e Danimarkës, derisa bëheshin nderimet ushtarake jashtë ndërtesës së kancelarisë në Berlin.

    Kancelarja gjermane përgjatë intonimit të himneve dukej e qetë, duke lëshuar nganjëherë buzëqeshje dhe duke lëvizur kokën drejt kryeministres daneze Meta Frederiksen.

    Një shkrim në gazetën gjermane Bild, thotë se Merkel ka kërkuar që t’i ndryshohet protokolli, pasi që ajo për tre herë radhazi në disa ceremoni derisa qëndronte në këmbë ishte parë teksa dridhej. Kështu i kishte ndodhur kur kishte pritur kryeministrin e Finlandës, Antti Rinne, trasnmeton Express.

    Kancelarja e cila synon të mos largohet nga posti i saj deri në vitin 2021 thotë se ‘po përmirësohet”, dhe se dridhjet e fundit të saj thotë se kanë qenë pjesërisht psikologjike.

    Në një konferencë për media pas takimit me kryeministren daneze ajo ka thënë se është e vetëdijshme dhe se do të ketë kujdes kur bëhet fjalë për shëndetin e saj.

    “Së pari, mund të kuptoni se unë jam e vetëdijshme për përgjegjësinë e punës sime. Unë sillem me përgjegjësi kur është në pyetje shëndeti im, “u tha Merkel gazetarëve kur u pyet për shëndetin e saj në një konferencë shtypi me kryeministren daneze Meta Frederiksen.

    “Unë personalisht jam e interesuar të jem mirë dhe brengosem për shëndetin tim”, tha kancelarja, e cila do të festojë ditëlindjen e 65-të javën e ardhshme, duke bërë shaka se çdo ditëlindje i kujton asaj se ajo është më e vjetër.

    Herën e parë kur Merkel u përfshi nga dridhje të tilla të trupit, ishte thënë se një gjendje e tillë i ishte shkaktuar si pasojë e dehidrimit.

    Në mediat gjermane të cilat citojnë burime brenda Qeverisë, thonë që Merkel ishte parë teksa dridhej edhe në vitin 2017, përgjatë një nderimi ushtarak në Meksiko City në vitin 2017.

    Siç shkruan The Guardian vendimi i fundit i Merkel për t’u ulur në ceremoni, do të nxisë edhe më tej spekulimet, se takimet e shpeshta, udhëtimet e takimet e shpeshta gjatë natë, kanë filluar të rëndojnë shëndetin e saj.

    Në mediat gjermane kishte shpjegime nga më të ndryshmet për një gjë të tillë, që nga dehidrimi dhe ankthi deri tek puna dhe stresi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!