×
  • Lajme
  • Botë

    Përplasje e ambasadës ruse me mediet në Beograd, serbët Russia Today e quajnë “vdekje”

    Reporteri
    11 Gusht 2020 | 10:42

    Edhe një reagim tjetër e ka publikuar ambasada e Federatës së Rusisë në Beograd ndaj medieve serbe.


    Kësaj radhe, reagimi lidhet ndaj së përditshmes serbe Blic, e cila e ka publikuar një shkrim në faqe të parë, i cili thotë se, “Rusia qëndron prapa trazirave në Serbi”.

    Në faqen e Facebookut, ambasada ka thënë se, “shkrimi i Blicit është skicë anti-ruse”.

    Përndryshe, në shkrimin e botuar më 10 gusht, Blic kishte theksuar edhe aktivitetin e të ashtuquajturës “Qendra Humanitare Ruso-Serbe”, e cila gjendet në Nish të Serbisë, për të cilën, kishin thënë se është një “qendër spiunazhi”. Veçmas, lidhur me këtë ambasada ruse është acaruar shumë.

    E përditshmja serbe, kishte përmendur edhe ashpërsimin e aktivitetit rus në hapësirën kibernetike në rajon dhe veçmas në Serbi.

    Përplasja e djeshme e ambasadës me mediat serbe shënon një hallkë në fenomenin e fundit që po ndodh në Serbi.

    Në fillim të korrikut, në Beograd për katër ditë rresht u shënuan demonstrata të dhunshme. Vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i kualifikoi ato të organizuara nga e djathta ekstreme e Serbisë, e cila ka lidhje të forta me Kremlinin.

    Ajo që është evidentuar si e veçantë në këto demonstrata të dhunshme para Kuvendit të Serbisë, është edhe prania e shtetasve të huaj, në mesin e të cilëve edhe një ruse.
    Edhe korrespodenti i televizionit propagandistik Russia Today, Boris Malagurski, bënte thirrje në mënyrë private që të shtohej numri i protestuesve kundër pushtetit në Beograd. Kjo, thirrje e tij, ishte konsideruar në Beograd si e pazakontë dhe e rrezikshme.

    Pas këtyre ngjarjeve, marrëdhëniet ruso-serbe janë acaruar dukshëm. Veçmas ndaj medieve të propagandës ruse Russia Today dhe “Sputnik. Madje, në rrjete sociale në Serbi, RT është quajtur SMRT, që në gjuhën serbe do të thotë “vdekje”. /

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!