×
  • Lajme
  • Botë

    Polonia shënon rekord të rasteve ditore me COVID-19 për të pestën ditë me radhë

    Reporteri
    31 Tetor 2020 | 12:17

    Polonia ka shënuar rekord të rasteve ditore të koronavirusit për të pestën ditë me radhë të shtunën pasi për 24 orë regjistroi 21.897 infektime.


    Rekordi i ri erdhi në kohën kur vendi i Evropës Qendrore është përfshirë edhe nga protestat masive, të cilat u nxitën nga vendimi i një gjykate për ndalimin e abortit në shumicën e rasteve.

    Partia në pushtet ka paralajmëruar se protestat do të sjellin rritje të madhe të rasteve të reja të koronavirusit. Megjithatë, imunologët thonë se shumica e protestuesve kanë qenë me maska, kanë mbajtur distancë mes vete dhe kanë qenë në mjedis të hapur, faktorë që e zvogëlojnë rrezikun nga infeksioni.

    Qeveria polake është kritikuar se nuk ka bërë teste të mjaftueshme dhe se ka dështuar të përgatitet për valën e dytë të pandemisë. Spitalet kanë mungesë të shtretërve dhe nganjëherë pacientët po kthehen prapa. Mediet lokale kanë raportuar se Polonisë po i mbarojnë respiratorët, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

    Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi njoftoi se tash për tash në spitale ndodhen 16.144 pacientë me COVID-19, 1.305 prej të cilëve janë në ventilatorë. Këto shifra një ditë më parë ishin 15.444 pacientë në spitale dhe 1.254 në ventilatorë.

    Ndryshe, në Poloni gjatë pandemisë janë mbajtur dy runde zgjedhjesh presidenciale, njëri më 28 qershor dhe tjetri më 12 korrik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!