×
  • Lajme
  • Extra
  • Botë

    Poshtë “Kupolës së Hekurt”, armës izraelite që duket sikur ka dalë nga “Star Wars”

    Reporteri
    12 Maj 2021 | 17:34

    Një video e publikuar në rrjetet sociale nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit u bë virale shumë shpejt për shkak se në të tregohej funksionimi i “Kupolës së Hekurt”, një armë që duket si e dalë nga një skenë e filmave “Star Wars”.


    Në video dukej arma e sofistikuar në aksion, duke interceptuar dhe shpërthyer në ajër raketat e hedhura nga militantët e Hamas në drejtim të qyteteve izraelite. Sipas autoriteteve atje, dy viktima u regjistruan nga pala izraelite, për shkak të një mosfunksionimi të përkohshëm të sistemit.

    Por çfarë është “Kupola e Hekurt”, një sistem mbrojtës anti-raketa, i përdorur prej 10 vitesh tashmë nga Izraeli për t’u mbrojtur nga sulmet e Hamasit dhe militantëve të tjerë palestinezë.

    “Rafael Advanced Defense Systems”, kompania që e ka krijuar, thotë se sistemi ka një efikasitet prej 90%. I përbërë nga një numër i madh radarësh zbulues dhe gjurmues, arma është automatike dhe vihet në lëvizje nga sensorë tepër të ndjeshëm. I gjithë sistemi komandohet nga Qendra e Kontrollit të Armëve dhe Menaxhimit të Betejave. Njësitë janë të pozicionuara në të gjithë vijën ndarëse mes territoreve të kontrolluara nga palestinezët, për të mundësuar mbrojtje sa më efikase.

    Çdo njësi peshon rreth 100 kilogramë dhe ka një rreze prej 40 kilometrash. Në secilën njësi ndodhen rreth 20 predha Tamir, të cilat kanë një kosto nga 20 deri në 100 mijë dollarë, sipas “Forbes”.

    “Kupola e Hekurt” pikas dhe shkatërron predha që vijnë nga një distancë minimale prej 4 kilometrash, deri në një distancë maksimale prej 70 kilometrash. Izraeli shpreson të rrisë rrezen deri në 250 kilometra, si dhe të mundësojë interceptimin e predhave nga dy drejtime të ndryshme njëkohësisht.

    Raketat që vijnë nga ana tjetër janë shumë më pak të sofistikuara. Pikërisht kjo “cilësi e dobët” e tyre ka bërë që kritikët e këtij sistemi të ngrenë zërin. Një studim i kompanisë “RAND” në vitin 2016 doli në përfundimin e për shkak të dëmeve të pakta që kryejnë raketat kundërshtare, sistemi është një mbingarkesë financiare. Por përkrahësit e tij thonë se, kur vjen puna te mbrojtja, nuk ka asnjëherë masa të mjaftueshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!