Protestat ndezin sheshet në Itali, incidente në Milano, Torino dhe Trieste

Milano, Torino, Napoli dhe Trieste janë përfshirë nga protesta të dhunshme mbrëmjen e sotme kundër masave bllokuese ndaj Covid-19 që kanë hyrë në fuqi me dekretin e ri.


Tregtarë, pronarë restorantesh, trajnerë sporti, organizata dhe lëvizje neofashiste dolën në rrugë. Kryetarët e bashkive deklaruan se kanë nevojë për veprime konkrete, ndërsa paralajmëruan se do të bëjnë gjithçka për të ndaluar dhunën”.

Në Torino, protestuesit hodhën fishekzjarre dhe shishe molotovi kundër policisë dhe thyen vitrinat e dyqaneve. Protesta kundër “diktaturës, shtetrrethimit dhe bllokimit” nisi të mblidhej në orën 20.30. Tre përplasje të forta me policinë. Fillimisht ndaj tyre u hodhën dy fishekzjarre të mëdhenj. Në përplasjen e dytë pati 5 të shoqëruar. Në përplasjen e tretë një djalë u plagos në kokë. Policia iu përgjigj dhunës së protestuesve me gaz lotsjellës. Demonstruesit përmbysën koshat e plehrave dhe dëmtuan vitrinat e dyqaneve.

Kokteje molotovi bllokuan trafikun në qendër të Milanos. U dëmtuanpengesat e përdorura për biçikletat, u përmbysën koshat. Një koktej molotov u hodh drejt një makine të policisë lokale.

Në Trieste u hodhën fishekzjarre dhe shashka tymyese ndaj prefekturës.Në shesh marshuan mijëra pronarë të baresh, restorantesh, dyqane ëmbëlsirash, palestrash dhe pishinash.

Në Napoli dy tentativa për grumbullime, i pari çoi në shesh 300 demonstrues, ndërsa i dyti u shpërnda pa incidente.

Protesta pati dhe në Romë, Viareggio, Parma, Catania, Pescara ,Vicenza, Perugia , Genoa, Foggia, Pesaro, Trieste, Bolonja, Firence, Lecce, Campobasso, Sanremo etj.

Ministria e Brendshme është në alert.

“Çështja e rendit publik është bërë shumë e ndjeshme dhe situatat më të rrezikshme duhet të qetësohen” shpjegojnë burime nga aparati i sigurisë.

Prandaj, një seri veprimesh parandaluese janë zbatuar këto ditë dhe në çdo rast, përsëritet, se çdo tejkalim nuk do të tolerohet.